• e diel, 22 dhjetor 2024

Eurokomisari Breton jep dorëheqje (PLT)

Eurokomisari Breton jep dorëheqje (PLT)

Bruksel, 16 shtator 2024 (MIA) – Komisari evropian për tregun e brendshëm dhe kandidat francez për anëtar të Komisionit të ardhshëm Evropian, Tieri Breton sot dha dorëheqje nga funksioni dhe e tërhoqi nominimin e tij për eurokomisar.

Në letrën e dorëheqjes së tij dërguar kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, të cilën e publikoi në Iks, Breton e akuzon se e “saboton” dhe se “krijon trazira” gjatë kohës së tranzicionit drejt institucioneve të reja të BE-së.

Breton në publikimin thotë se Fon der Lajen i ka ofruar Francës “dikaster më me ndikim” në Eurokomionin e ri, nëse Parisi propozon kandidat tjetër në vend të tij. 

“Para disa ditëve, në pjesën e fundit të bisedimeve për përbërjen e Kolexhit të ardhshëm kërkuat nga Franca ta tërheqë kandidaturën time – për shkaqe të juaja personale për çka aspak nuk biseduat drejtpërdrejtë me mua, tha Breton në letrën dërguar Fon der Lajenit. 

Ai më tutje potencon se gjatë pesë viteve të kaluara si eurokomisar pa ndalur është angazhuar ta mbështesë dhe avancojë “të mirën e përbashkët evropiane mbi interesat kombëtare dhe partiake”. 

“Megjithatë, në dritën e këtyre zhvillimeve të fundit - dëshmi e mëtejshme për lidershipin e dyshimtë - duhet të konkludoj se nuk mund të kryej më detyrat e mia në Kolexhin (të komisionerëve). Për këtë arsye po paraqes dorëheqjen time nga posti i eurokomisione e cila do të hyjë në fuqi menjëherë,” theksoi Breton.

Gjatë ditëve të kaluara vinin informacione për tensione mes Fon der Lajenit dhe presidentit francez Emanuel Makron rreth dikasterit potencial të cilin do ta merrte eurokomisari francez në Komisionin e ri Evropian. 

Një përfaqësues i lartë anonim i partisë së Makronit, Renesansa, në një deklaratë për mediat franceze theksoi se “Franca nuk është e kënaqur me kompetencat e dikasterit” të cilat Fon der Lajen ia ka ndarë Bretonit. 

Është sekret publik në Bruksel se marrëdhëniet mes Fon der Lajenit dhe Bretonit "nuk lulëzojnë trëndafila", siç dëshmohet nga disa përplasje mes tyre, disa prej të cilëve ishin publike, në vitet e kaluara. Breton madje e sulmoi ashpër Fon der Lajenin pasi Partia Popullore Evropiane (EPP) vendosi ta emëronte atë për një mandat të dytë në detyrë në pranverë dhe pati mosmarrëveshje mes tyre për disa zgjidhje dhe politika të personelit.

Pas tërheqjes së Bretonit, Franca do të duhet të propozojë kandidat të ri për eurokomisar, që pritet ta zvarrisë procedurën për zgjedhje të Komisionit të ardhshëm Evropian. 

Për nesër, Fon der Lajen është planifikuar të prezantojë përbërjen e propozuar të KE-së së re dhe shpërndarjen e dikastereve ndërmjet komisionerëve evropianë para anëtarëve të Konferencës parlamentare të Presidentëve, e cila përbëhet nga presidentja e PE, Roberta Mecola dhe njerëzit e parë të grupeve parlamentare. Por tërheqja e Bretonit, si dhe procedura ende e papërfunduar për nominimin e kandidates sllovene për komisionere evropiane Marta Kos, e vë në pikëpyetje mbajtjen e takimit.

Para fillimit të procedurës për zgjedhje të Komisionit të ri Evropian, Fon der Lajen kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të nominojnë nga një burrë dhe një grua për kandidatë për eurokomisarë që të ketë mundësi të sigurojë barazi gjinore në Kolexhin e ardhshëm të komesarëve. Kjo kërkesë nuk vlente për vendet të cilët i nominonin eurokomisarët aktualë. 

Por, përveç Bullgarisë, e cila iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Fon der Lajen, vendet e tjera anëtare propozuan nga një kandidat, shumica e të cilëve janë meshkuj. Në rrethana të tilla, u raportua se Fon der Lajen kishte kërkuar nga "disa shtete anëtare" që të zëvendësonin kandidatët e tyre meshkuj të propozuar me femra, pas çka kandidatët e Rumanisë dhe Sllovenisë u tërhoqën dhe në vend të tyre u propozuan femra.

Komisioni Evropian refuzoi t’i komentojë informacionet se Fon der Lajen “ka kryer presion” ndaj disa vendeve për ndërrim të kandidatëve për eurokomisarë duke iu referuar parimit të besimit të konfidencialiteti i korrespondencës së brendshme. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR