• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Euroinstitucionet me rastin e Ditës së Evropës: BE-ja është projekt që na bashkon, së bashku jemi më të fortë

Euroinstitucionet me rastin e Ditës së Evropës: BE-ja është projekt që na bashkon, së bashku jemi më të fortë

Bruksel, 9 maj 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian mbi të gjitha është një ide dhe ëndërr për Evropë të bashkuar në paqe, e cila punon për prosperitet më të madh dhe përmirëson jetën e njerëzve, porositi kryetari i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel me rastin e Ditës së Evropës - 9 maj.

"Sot, në Ditën e Evropës është koha të konfirmojmë vendosmërinë tonë të palëkundër për të vazhduar, pjesë pas pjese, të ndërtojmë këtë projekt evropian që na bashkon të gjithëve, është shprehur Mishel në video porosinë e shkurtër të publikuar në rrjetet sociale.

Kryetarja e Komisionit Evropian në mesazhin me rastin e Ditës së Evropës theksoi se në ditën e sotme i bëjmë homazh vizionit të Robert Shumanit për një Evropë të bashkuar, paqësore dhe të begatë.

"Ne festojmë personat të cilët ndërtuan Unionin tonë dhe ata që vazhdojnë të ndërtojnë atë çdo ditë. Kjo ditë u takon të gjithë evropianëve - ëndrrimtarëve. Së bashku, ne jemi më të fortë", tha Fon der Lajen në rrjetin Iks.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel theksoi se në ditën e sotme të Evropës në përkujtojmë vizionin e Shumanit që i ka hedhur themelet e Unionit tonë.

"Duke pasur parasysh se luftërat shpërthejnë rreth nesh, nga Ukraina në Gaza, mesazhi se armiqtë e dikurshëm mund të bëjnë paqe dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë është më i rëndësishëm se kurrë. Si BE ne vazhdojmë të punojmë për paqen", porositi Borel në një publikim në Iks.

Komisioni Evropian, gjithashtu përmes Iks, bëri thirrje për kremtimin e "unitetit dhe solidaritetit të vazhdueshëm në Evropë të promovuar nga Deklarata e Shumanit në vitin 1950".

"Vetëm përmes unitetit dhe solidaritetit mund ta mbështesim projektin evropian. Në këtë ditë të vitit 1950, Robert Shumani dha Deklaratën e tij të famshme - një pikë kthese në historinë tonë që hodhi themelet për BE-në siç e njohim sot", shtohet në mesazhin e KE-së me rastin e Ditës së Evropës - 9 maj. rq/

Foto: Iks

 

QËNDRONI TË LIDHUR