• e diel, 22 dhjetor 2024

Eurodeputeti austriak Tomac Uajc raportues i ri i PE-së për Maqedoninë e Veriut

Eurodeputeti austriak Tomac Uajc raportues i ri i PE-së për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 22 tetor 2024 (MIA) – Eurodeputeti austriak Tomas Uajc është emëruar raportues i ri i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut. 

Uajc, i cili vjen nga të Gjelbrit evropianë, ishte edhe bashkë kryesues i Partisë së Gjelbër Evropiane. 

Në shkurt të vitit 2017, Uajc ishte emëruar anëtar i këshillit të Partisë së Gjelbër Evropiane dhe ishte zgjedhur në mars të vitit 2017 në kongresin e Të gjelbërve Globalë dhe Të gjelbërve Evropianë në vitin 2017 në Liverpul, si anëtar i vetëm austriak i bordit të Partisë së Gjelbër Evropiane. Në këtë pozitë ai është përgjegjës, mes tjerash, për bashkëpunim me Partitë e Gjelbra në Çeki, Slloveni, Poloni, Hungari dhe Shqipëri dhe e mbështet zhvillimin e partive të gjelbra në Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi. Në qershor të vitit 2022 ai u rizgjodh në Këshillin e 35-të të Partisë së Gjelbër Evropiane si bashkë kryesues i EGP bashkë me senatoren franceze Melani Vogel nga Ekologjia Evropiane Franceze – Të gjelbrit. 

Në profilin e tij në rrjetin social “X”, mes tjerash, shkruan se angazhohet për zgjerimin e BE-së, me fokus të Ballkanit Perëndimor. 

Shumica e grupeve politike në Parlamentin Evropian nominuan anëtare të tyre për pozicionet raportuese për vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Tonino Picula nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve do të jetë raportues për Serbi, përderisa Andreas Shajder nga partia e njëjtë do të jetë raportues për Shqipërinë. Eurodeputeti slloven Marjan Sharec nga Renew Europe do të jetë raportues për Malin e Zi. 

Partia Popullore Evropiane (PPE) i mori pozicionet për raportues për Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR