• e martë, 26 nëntor 2024

Eskobar në Prishtinë për bisedime për Asociacionin e komunave serbe dhe përdorimin e dinarit

Eskobar në Prishtinë për bisedime për Asociacionin e komunave serbe dhe përdorimin e dinarit

Prishtinë, 13 mars 2024 (MIA) - I dërguari special i presidentit amerikan Xho Bajden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar sot do të qëndrojë në Kosovë në takimet me krerët e shtetit me të cilin do të diskutojë për dialogun me Serbinë, procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështjen e përdorimit të dinarit serb në vend, njofton korrespondenti i MIA-së nga Prishtina. 

Emisari amerikan dje në Bruksel deklaroi se vizita e tij në Prishtinë do të fokusohet në efektet dhe gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për, siç tha ai, “vendimin e pakoordinuar” për ndalimin e dinarit dhe të transfertave nga Serbia.

Ai ka bërë të ditur se pas Kosovës do ta vizitojë Austrinë dhe Malin e Zi dhe më pas do të kthehet në Uashington.

“Do të udhëtojmë në Prishtinë dhe do  të fokusohemi tek efektet dhe zgjidhja e mundshme e vendimit të pakoordinuar për të ndaluar dinarin dhe transferet nga Serbia për qytetarët serb që marrin pagesa sociale nga Serbia", tha Eskobar. 

Escobar ka theksuar se SHBA -ja nuk e konteston legjitimitetin e vendimit, por për mënyrën dhe shpejtësinë se si është implementuar.

Sipas tij,  është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për vendimin rreth dinarit, vendim të cilin e ka quajtur “katastrofal” dhe "jokompetent". 

“Jemi duke dëgjuar shumë raportime për vështirësitë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë parasysh t’i marrë këto shqetësime të komunitetit ndërkombëtar seriozisht. Ne s’po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por me shpejtësinë që po implementohet. Qeveria s’ka dhënë mënyrë alternative”, ka deklaruar ai.

Në pyetjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Eskobar tha se Prishtina nuk ka thënë kurrë nëse e pranon propozimin për një statut të Komunitetit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe se SHBA e kanë të vështirë të kuptojnë pse nuk e bëjnë këtë kështu. 

"Kemi dëgjuar shumë arsye të ndryshme pse nuk është formuar apo pse nuk po ecën përpara, asnjërën prej të cilave nuk e pranojmë. Duhet të ecim përpara", deklaroi Eskobar.

Eskobar në Prishtinë fillimisht do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa pas takimit bëhet e ditur fjalimi i tyre për media.

Përveç krerëve të institucioneve shtetërore, Eskobar do të takohet edhe me liderët e tri partive parlamentare opozitare: Memli Krasniqi kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nga tre palët është konfirmuar ftesa për t'u takuar me emisarin amerikan dhe pjesëmarrja e tyre në të, por nuk ka detaje për formatin e takimit. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR