• e martë, 26 nëntor 2024

Eskobar: Maqedonia e Veriut të kujdeset që ligjet e saj të harmonizohen jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me BE-në

Eskobar: Maqedonia e Veriut të kujdeset që ligjet e saj  të harmonizohen jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me BE-në

Shkup, 22, shtator 2023 (MIA) - Ekzistojnë më shumë nivele të kontrollit të harmonizmit të ligjeve, duke i përfshirë edhe ato përmes Bashkimit Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të kujdeset që ligjet e saj të harmonizohen me standardet dhe pritjet evropiane, tha zëvendës ndihmës-sekretari shtetëror i SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në intervistë për Radio Evropa e Lirë, lidhur me ndryshimet në Kodin penal.

"Lidhur me informatat konkrete për ndryshimet e Kodit penal, e tërë ajo që mund ta them është se ekzistojnë disa nivele të kontrollit të harmonizmit të ligjeve, duke përfshirë edhe përmes BE-së. Kjo do të thoshte se Maqedonia e Veriut duhet të kujdeset që ligjet e saj të mos jenë vetëm në harmonizim me Kushtetutën, por edhe me pritjet dhe standardet evropiane", thotë Eskobar në intervistë.

Në pyetjen nëse SHBA-ja është e kënaqur nga lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut në kontekst të ndryshimeve në Kodin penal, me të cilin zvogëlohen dënimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Eskobar theksoi se korruposioni është problemi më i madh për të gjiha vendet nga Ballkani Perëndimor.

"Për fillim do të thoja se korrupsioni është problemi më i madh për shtetet nga Ballkani Perëndimor dhe mendoj se të gjitha vendet mund të bëjnë më shumë (në luftën kundër korrupsionit), duke e përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo është një nga shkaqet pse në mënyrë konsekuente angazhohemi për atë që shteti t'i zbatojë reformat, të cilat BE-ja i kërkon", deklaroi Eskobar.

Ai dje në intervistë për Zërin e Amerikës tha se Maqedonia e Veriut luan një rol shumë të rëndësishëm në proceset në rajon. Po ashtu, ka shprehur brengosje për shkak të asaj se Ballkani Perëndimor po zhvillohet "në dy shpejtësi".

"Nga njëra anë ka anëtare të Aleancës evroatlantike, të cilat janë shumë të përkushtuar në NATO dhe rrugën e tyre evropiane. Këtu janë edhe tri të tjera, të cilat po luftojnë me vështirësi. Gjatë takimeve të mia me ta, në mënyrë konsekuente u thash se SHBA-ja e përkrah rrugën e tyre euroatlantike. Do të donin dhe duam të gjithë ne që ato t'i zgjidhin dallimet e tyre të brendshme dhe rajonale, që i pengojnë në përparimin", potencoi Eskobar.

Duke e saktësuar përgjigjen, ai e përmendi, siç tha, rolin e rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut në proceset aktuale.

"Ne u jemi falënderues për lidershipin e tyre rajonal, dhe për orientimin e tyre proevropian. Si kryesues me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) mendoj se Maqedonia e Veriut vazhdimisht po dëshmohet si partner i shkëlqyeshëm. Në këtë kuptim, do të donim ta shohim edhe në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka pasur qasje të shkëlqyeshme ndaj anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit, në marrëdhëniet bilaterale, si dhe me NATO-n", tha Eskobar. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR