• e premte, 05 dhjetor 2025

ESHR: Sistemi për mbrojtjen e grave viktima të dhunës është jomjaftueshëm efikas

ESHR: Sistemi për mbrojtjen e grave viktima të dhunës është jomjaftueshëm efikas

Shkup, 21 gusht 2025 (MIA)- Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin me temë ,,Zbatimi i Konventës së Këshillit të  Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) me theks të veçantë të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga institucionet kompetente për sigurimin e shërbimeve të specializuara dhe efektive për mbështetjen dhe mbrojtjen e grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje’’.

Bazuar në të dhënat e marra dhe analizat e kryera, me revizionin është siguruar bindje e arsyeshme se masat dhe aktivitetet nuk janë mjaftueshëm efektive për parandalimin, mbështetjen, mbrojtjen dhe riintegrimin e plotë të grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

“Konventa e Stambollit është nënshkruar në vitin 2011, ndërsa e ratifikuar në vitin 2017, pas të cilës është miratuar Plani i Veprimit për Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje për periudhën 2018-2023 ka paraparë 52 aktivitete. Konstatuam se aktivitetet e parashikuara nuk janë realizuar në tërësi, dmth 22 aktivitete janë realizuar në tërësi, 20 aktivitete nuk janë realizuar, ndërsa 10 aktivitete janë realizuar pjesërisht. Madje, konstatuam se për periudhën pas vitit 2023 nuk është miratuar Strategji Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna, as nuk janë miratuar të gjitha aktet nënligjore e parashikuara me Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, thonë në ESHR.

Programi për reintegrimin e viktimave, i miratuar nga ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, është i përgjithshëm, nuk ka periudhë të përcaktuar aplikimi, nuk përmban objektiva të qarta me indikatorë të matshëm që duhet të arrihen, gjë që krijon vështirësi në vlerësimin e zbatimit të tij dhe arritjen e rezultateve 

Në shkurt të vitit 2023, Kodi Penal u harmonizua me Konventën e Stambollit, me çka kriminalizohet dhuna në bazë gjinore dhe dhuna në familje, duke rritur dënimet për dhunën seksuale, duke zgjeruar përkufizimin e dhunës në familje dhe duke e trajtuar femicidin si një formë të kualifikuar të vrasjes.

Edhe pse kjo paraqet përparim të rëndësishëm, sfidat mbeten, si përfshirja e pamjaftueshme e sektorit civil, kriminalizimi i pamjaftueshëm i dhunës psikologjike, si dhe fakti që ndjekja penale për lëndime trupore ende bëhet me kërkesë të viktimës, gjë që e cenon efikasitetin e mbrojtjes dhe e ul ndjekjen objektive të autorëve për shkak të ndikimit dhe presionit ndaj viktimave.

Në Qendrat për Punë Sociale nuk është realizuar riorganizimi i planifikuar për shkak të mungesës së një analize funksionale dhe procedurave të standardizuara, dhe të njëjtit përballen me mungesë të kuadrit. Më tepër, një pjesë e shoqatave që ofrojnë shërbime të specializuara nuk janë të licencuara, ndërsa nuk ekziston një sistem i rregulluar për licencimin e linjave SOS.

“Numri dhe shpërndarja territoriale e strehimoreve dhe qendrave të këshillimit nuk i përmbushin standardet e përcaktuara me Konventën, dhe disa nga objektet ekzistuese nuk i plotësojnë kushtet në aspektin e vendndodhjes, pajisjeve, hapësirës dhe personelit, situatë kjo që nuk lejon mbrojtjen efektive të viktimave. Konkretisht, është bërë një analizë e nevojës për qendra për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje (strehimore, qendra këshillimi, qendra krize dhe linja SOS) sipas standardeve të Konventës së Stambollit me çka konstatuam se: Në përputhje me numrin e banorëve, në shtet duhet të ketë 184 shtretër në strehimore, por janë vendosur vetëm 67 (37%), prej të cilëve 48 janë në Qendrat për Punë Sociale (QPS), dhe 19 në sektorin joqeveritar (OJQ). Në lidhje me këshillimoret, nevojiten 19, por janë themeluar 11 (59%), prej të cilave 7 janë në Qendrat për Punë Sociale (QPS), dhe 4 në sektorin joqeveritar (OJQ)”, thonë në ESHR.

 

Madje, shpërndarja territoriale është e pabarabartë. Në rajonin Juglindor dhe në atë Verilindor nuk ka asnjë shtrat të vetëm në strehimoret e Qendrave për Punë Sociale (QPS), ndërsa organizatat joqeveritare (OJQ) ofrojnë strehimore vetëm në rajonin e Shkupit dhe në atë Juglindor. Gjithashtu, në rajonin Juglindor nuk është themeluar asnjë qendër këshillimi, edhe pse është paraparë një.

Nga inspektimi te disa prej strehimoreve dhe qendrave këshillimi të themeluara, u konstatua se shumë prej tyre janë përdorur në periudhën e kaluar, por tani nuk janë funksionale.

Nuk është kryer analizë e shpenzimeve për shërbimet e specializuara, që e pamundëson planifikimin real të mjeteve të nevojshme për mbështetje cilësore për çdo përdorues. 

Me qëllim të përcaktimit të trendit të viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në periudhën 2020–2023 në shtet, është kryer analizë e të dhënave nga 30 Qendra për Punë Sociale, të cilat tregojnë se në periudhën 2020–2023 janë evidentuar gjithsej 6.282 viktima të reja të dhunës në familje, me një rritje të lehtë gjatë viteve.

Sipas të dhënave të MPB-së, në periudhën 2018–2023 janë kryer 6.242 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, nga të cilat 61% janë për lëndim trupor, ndërsa 35% për rrezikim të sigurisë. Janë regjistruar 6.423 kryerës, nga të cilët 91% janë burra, dhe 6.663 viktima, nga të cilat 79% janë gra. Në të njëjtën periudhë janë evidentuar edhe 2.347 kundërvajtje, me një numër pothuajse të barabartë të grave dhe burrave viktima. Të dhënat tregojnë krahasim të vazhdueshëm dhe të pandryshuar, në të cilat burrat janë kryerës dominues të dhunës, ndërsa gratë janë dukshëm më shpesh viktima, që tregon për mungesë efektiviteti të masave të deritanishme për parandalim dhe mbrojtje.

Numri i burrave kryerës të veprave penale është 9 deri në 11 herë më i lartë se ai i grave; Numri i burrave kryerës të kundërvajtjeve është 3 deri në 6 herë më i lartë; Numri i grave viktima të veprave penale është 4 herë më i lartë se numri i burrave viktima; Në rastet e kundërvajtjeve, krahasimi i grave dhe burrave viktima është pothuajse i barabartë.

                                                                                   

“Përkundër aktiviteteve të zbatuara, krahasimi midis kryerësve dhe viktimave mbetet pothuajse i pandryshuar, që tregon se aktivitetet për parandalim dhe mbrojtje nuk po përmirësojnë gjendjen reale”, thuhet në raportin e ESHR-së. 

Me Vendim të Qeverisë, në vitin 2021 u formua Organi Kombëtar Koordinues, detyra e të cilit është të monitorojë zbatimin e Konventës së Stambollit dhe politikave kombëtare për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional. Konstatuam se ky organ nuk po e plotëson në tërësi detyrat e veta dhe mungon një sistem i integruar i regjistrimit të viktimave. Si pasojë, nuk është e mundur të sigurohen të dhëna të sakta, në kohë dhe të unifikuara nga të gjitha institucionet kompetente të përfshira në procesin e parandalimit dhe mbrojtjes së grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe informacione të tjera relevante për monitorimin e gjendjes së dhunës ndaj grave. Kjo pengon monitorimin efikas të gjendjes dhe krijimin e politikave dhe masave të përshtatshme dhe të kohës për mbrojtjen dhe mbështetjen e grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

Foto: ESHR

QËNDRONI TË LIDHUR