• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ermond Neziri anëtar i ri i Këshillit të prokurorëve publikë

Ermond Neziri anëtar i ri i Këshillit të prokurorëve publikë

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Prokurori i Shkupit, Ermond Neziri është zgjedhur sot anëtar i Këshillit të prokurorëve publik nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në vend.

Siç informoi Komisioni për zhvillimin e zgjedhjes në konferencë për shtyp vonë sot pasdite, nga gjithsej 139 prokurorë që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, 117 prokurorë kanë votuar për Ermond Nezirin dhe 16 për kandidatin e dytë Rasim Dreca. Komisioni ka përcaktuar se gjashtë fletë ishin te pavlefshme.

"Konstatoj se kandidati Ermond Neziri është zgjedhur anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë procesi zgjedhor ka përfunduar dhe kandidatit do t'i jepet vendim pas skadimit të afatit për kundërshtime", informoi kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë, Antonio Jolevski.

Sot u mbajt votimi në pesë vendvotime në Prokurorinë Publike të Republikës dhe në katër prokuroritë më të larta publike në Shkup, Gostivar, Manastir dhe Shtip, ku nga gjithsej 159 prokurorë publikë me të drejtë vote, votuan 139, ndërsa 20 fletë votimi mbetën të papërdorura.

Ndryshe, Neziri ka qenë edhe kandidat për kryetar të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, kur si person i parë i kësaj prokurorie u zgjodh Islam Abazi. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR