• e diel, 22 dhjetor 2024

"Enerxhiportal BE": Cili është qyteti më i bukur në Maqedoni?

Londër, 8 nëntor 2023 (MIA) - Revista e specializuar elektronike “Enerxhiportal BE”, me seli në Londër ka publikuar tekst kushtuar bukurive të Maqedonisë, duke shpalosur disa nga pasuritë turistike që ka vendi dhe aktivitetet që mund të jenë interesante për çdo mysafir që do të qëndrojë këtu.

Autori i tekstit shpjegon se është një vend i vogël që ndodhet në zemër të Ballkanit, njihet për historinë e saj të pasur, peizazhet e bukura dhe qytetet simpatike. Në pyetjen që i bën vetes, autori shkruan se “me kaq shumë destinacione piktoreske për përzgjedhje, mund të jetë e vështirë të përcaktohet se cili qytet mban titullin si më i bukur”. Megjithatë, si qytet që ai e spikat është Ohri.

Për Ohrin ai thotë se është xhevahiri i Ballkanit. I vendosur në brigjet e liqenit të Ohrit, Ohri është një vend i trashëgimisë botërore të UNESKO-s i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe rëndësinë historike. Qyteti krenohet me një përzierje unike të arkitekturës antike, rrugëve me kalldrëm dhe pamjeve mahnitëse të liqenit dhe maleve përreth. Qyteti i tij i vjetër mesjetar është një thesar i kishave bizantine, duke përfshirë kishën ikonike të "Sh. Jovanit" në Kaneo e cila ofron pamje panoramike të liqenit.

Sipas autorit, kombinimi i peizazheve të shkëlqyera natyrore, historisë së pasur dhe bukurisë arkitekturore e veçon Ohrin nga qytetet e tjera. Vendndodhja e tij unike në Liqenin e Ohrit plotëson sharmin dhe u ofron vizitorëve një ambient të qetë dhe piktoresk.

Autori i tekstit shkruan edhe se ka edhe shumë qytete të tjera të bukura, si Manastiri, Shkupi dhe Prilepi. Çdo qytet ka karakterin dhe atraksionet e veta të veçanta, që siç thotë, "ia vlen të eksplorohet edhe përtej Ohrit".

Si përfundim, autori thekson se megjithëse Maqedonia është e mbushur me qytete të bukura, kombinimi i bukurisë natyrore, rëndësisë historike dhe shkëlqimit arkitektonik të Ohrit e bëjnë atë destinacion të jashtëzakonshëm.

"Pa dallim nëse jeni dashamirës të historisë, dashamirës të natyrës apo sharmit, Ohri me siguri do t'ju rrëmbejë zemrën dhe do t'ju lë kujtime të përhershme”, përfundon autori i tekstit. rq/

Foto: skrinshot

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR