• e hënë, 23 dhjetor 2024

Emërohen tre gjykatës dhe dy avokatë në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së

Emërohen tre gjykatës dhe dy avokatë në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së

Bruksel, 28 mars 2024 (MIA) - Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së (KOREPER) emëroi tre gjykatës dhe dy avokatë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. 

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, bëhet fjalë për gjermanin Tomas fon Danvic dhe letonezen Ineta Zimele, të cilët janë rizgjedhur si gjykatës, si dhe për francezin Stefan Zhervasoni, i cili për herë të parë është emëruar si gjykatës në Gjykatën e Drejtësisë.

Anëtarët e KOREPER, gjithashtu, e rizgjodhën francezin Zhan Rishar de la Tur si avokat në Gjykatë, ndërsa në këtë detyrë në mandatin e parë është emëruar edhe Din Shpilman nga Luksemburgu. 

Emërimet janë kryer në kuadër të procesit të rinovimit të pjesshëm të përbërjes së Gjykatës së Drejtësisë të BE-së. Mandatet e pesë të emëruarve do të zgjasin nga 7 tetori i vitit 2024 deri më 6 dhjetor të vitit 2030. 

Gjykatësit dhe avokatët e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së emërohen me pëlqimin e qeverive të shteteve anëtare të Unionit, pas konsultimit me një panel të posaçëm përgjegjës për dhënien e mendimit mbi përshtatshmërinë e kandidatëve potencialë për kryerjen e detyrave. Ata janë përzgjedhur nga radhët e juristëve të shquar që më parë kanë mbajtur poste të larta në sistemet gjyqësore të vendeve të tyre. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR