Elmazi: Ne e dimë çfarë i mungon Sarajit, koha e mashtrimeve ka mbaruar
- Unë nuk vij sot këtu vetëm si kandidat. Vij si dikush që ka ecur nëpër Bojanë, që ka dëgjuar hallet e banorëve të Kondovës, që ka parë mungesën e investimeve në Radushë e Bukoviq, që ka ndarë përditshmërinë me Shishovën, Çajlanën, Gërçecin, Lubinin dhe çdo fshat tjetër të kësaj komune.
- Post By Fami Bajrami
- 14:36, 6 shtator, 2025
Shkup, 6 shtator 2025
Të dashur qytetarë të Sarajit, ju të nderuara media
Unë nuk vij sot këtu vetëm si kandidat. Vij si dikush që ka ecur nëpër Bojanë, që ka dëgjuar hallet e banorëve të Kondovës, që ka parë mungesën e investimeve në Radushë e Bukoviq, që ka ndarë përditshmërinë me Shishovën, Çajlanën, Gërçecin, Lubinin dhe çdo fshat tjetër të kësaj komune.
Ne e dimë çfarë i mungon Sarajit, sepse jemi pjesë e Sarajit.
Dhe po, është turp që pas 20 vitesh ende të flasim për ujë të pijshëm, për rrugë që s’janë bërë, për mungesë të çerdheve e të investimeve bazike. Por ja që na ra hise!
Le të flasim qartë për dështimet e komunës:
Realizimi i programit 2021–2025 është më pak se 5%, dhe pjesa më e madhe e atyre pak gjërave që janë bërë janë vetëm aktivitete kozmetike ose të rastit.
Dështimet kryesore: ujë i pijshëm, rrugët, çerdhet, turizmi, poliklinika, banesat sociale, gazifikimi, digjitalizimi i shkollave.
Komuna e Sarajit e mbylli këtë mandat pa asnjë projekt kapital të përfunduar.
Por sot ka shpresa! Ndërkohë që komuna ka dështuar, qeveria e re VLEN, vetëm brenda një viti, ka sjellë pesë projekte kapitale për Sarajin, me vlerë mbi 318 milionë denarë: ujësjellës në Llaskarcë, rrugë të reja në Rashçe e Kopanicë, sallë multifunksionale, dhe investime mbrojtëse në Gllumovë e Arnaqi.
Këto dëshmojnë se ndryshimi është i mundur. Por unë nuk dua të ndalem vetëm te shifrat. Dua të flas për ëndrrën tonë të përbashkët. Ne nuk duam që të rinjtë tanë të ikin, por të ndërtojnë jetën këtu, pranë familjes së tyre, në tokën që Zoti e ka bekuar me bukuri të rralla. Matka nuk duhet të jetë e mbytur në bërrllog, por qendra turistike e gjithë shtetit. Liqeni i Treskës nuk duhet të jetë turp për ne, por zemra e gjallë e Sarajit.
Ky është vizioni ynë, një Saraj që ofron ujë 24 orë në ditë, rrugë të rregullta, shkolla moderne, kulturë, sport dhe zhvillim ekonomik për të gjithë. Një Saraj ku punësimi dhe turizmi e kthejnë këtë vend në shembull për tërë vendin.
Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Koha e rrenave ka mbaruar. Koha e Sarajit ka ardhur!
Së bashku do ta kthejmë Sarajin nga komuna e premtimeve të dështuara, në komunën e shpresës dhe të zhvillimit.
Dua që të dëgjohet sot nga çdo lagje, nga çdo fshat, nga çdo shtëpi: Saraji nuk do të mbetet më në harresë, Saraji do të fitojë!
Muhamed Elmazi, VLEN Saraj
_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.