• e hënë, 23 dhjetor 2024

Elizabeta Gjorgievska në takim me përfaqësues të UNFPA-s në Nju Jork para konferencës së ardhshme "Fuqia e zgjedhjes"

Elizabeta Gjorgievska në takim me përfaqësues të UNFPA-s në Nju Jork para konferencës së ardhshme

Shkup, 23 shtator 2023 (MIA) - Bashkëshortja e presidentit Stevo Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska e cila qëndroi në Nju Jork dhe e shoqëronte gjatë pjesëmarrjes së tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbajti disa takime dhe aktivitete, njofton Zyra e presidentit.

"Gjorgievska realizoi takime me Dien Keita, ndihmës sekretar i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtor ekzekutiv në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), ku shkëmbyen mendime dhe informacione rreth konferencës së nivelit të lartë të titulluar "Fuqia e zgjedhjes: Autonomia te gratë dhe vajzat” ku nikoqir do të jetë znj. Gjorgievska, në bashkëpunim me UNFPA dhe do të mbahet nën patronazhin e presidentit në tetor të këtij viti. Bashkëbiseduesit u pajtuan se tema e konferencës ‘Fuqia e zgjedhjes’ është me rëndësi të madhe - e drejta e grave dhe vajzave për të pasur kontroll mbi trupin e tyre, shëndetin dhe të drejtat riproduktive. Keita përshëndeti angazhimin e Gjorgievskës në çështjet mbi të cilat punon UNFPA, duke e vënë Maqedoninë e Veriut lartë në hartën e vendeve që janë aktive në këtë çështje”, thuhet në kumtesë.

Bashkëshortja e presidentit, informon kabineti, ka marrë pjesë edhe në iniciativën për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në kuadër të Samitit për qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ku theksoi se “duhet t'i jepet fund dhunës ndaj grave, me të cilën miliona grave dhe vajzave u mohohen praktikisht të drejtat themelore të njeriut dhe mundësia për të kontribuar aktivisht në shoqëri dhe komunitet”.

“Në nivel global, një në tre gra është viktimë e dhunës dhe sipas vlerësimeve të iniciativës, deri në vitin 2025, në ditë jeta e të paktën dy grave dhe vajzave do të shpëtohej. Trende të tilla negative nuk mungojnë as në Republikën e Maqedonisë së Veriut, andaj duhet shumë më tepër punë dhe rezultate të dukshme”, theksoi Gjorgievska.

Ajo mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga zonja e parë e SHBA-së, Xhill Bajden, ku pati një takim të shkurtër me Xhill Bajden ku e informoi për aktivitetet që po punon në bashkëpunim me UNICEF-in dhe partnerët e tjerë, dedikuar shëndetit mendor tek të rinjtë dhe nevoja për kujdes më të madh dhe zgjidhje sistematike nga palët kompetente në ruajtjen e shëndetit mendor tek të rinjtë.

“Bashkëshortja e presidentit pati edhe një takim të shkurtër me zonjën e parë të Ukrainës, Olena Zelenska gjatë së cilës biseduan për Samitin e shëndetit mendor të mbajtur së fundmi në Kiev, pjesë e së cilës ishte edhe z.Gjorgievska, ndërsa poashtu rikonfirmoi mbështetjen e saj për përpjekjet e bashkëshortes së presidentit ukrainas, në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Nju Jork, Gjorgievska mbajti dy ligjërata për studentët pasuniversitar në Universitetin “Kolumbia” në Kolegjin e mjekësisë dentare, informojnë nga zyra e Pendarovskit.

Foto: Kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR