El Anuni: Është thelbësore të ruhet integriteti territorial i Sirisë dhe të mposhten të gjitha format e ekstremizmit
- Rënia e regjimit kriminal të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad shënon një moment historik për popullin sirian i cili ka duruar vuajtje të jashtëzakonshme dhe tregoi qëndrueshmëri në luftën e saj për dinjitet, liri dhe drejtësi, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Anuar El Anuni në lidhje me përmbysjen e regjimit të Asadit nga forcat rebele.
- Post By Fami Bajrami
- 13:36, 9 dhjetor, 2024
Bruksel, 9 dhjetor 2024 (MIA) - Rënia e regjimit kriminal të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad shënon një moment historik për popullin sirian i cili ka duruar vuajtje të jashtëzakonshme dhe tregoi qëndrueshmëri në luftën e saj për dinjitet, liri dhe drejtësi, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Anuar El Anuni në lidhje me përmbysjen e regjimit të Asadit nga forcat rebele.
"Mendimet tona janë me të gjitha viktimat e regjimit të Asadit dhe viktimat e shkaktuara nga konflikti sirian. Të gjithë sirianët duhet të kenë tani shansin për të mësuar të vërtetën për fatin e të afërmeve të tyre", ka thënë El Anuni.
Duke cituar pjesë të deklaratës me shkrim të përfaqësueses së lartë të BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas për zhvillimet në Siri, El Anuni tha se është thelbësore të ruhet integriteti territorial i vendit dhe të respektohet pavarësia e saj, sovraniteti dhe institucionet shtetërore dhe të refuzohen të gjitha format e ekstremizmit.
Fundi i diktaturës së Bashar al-Asadit është një zhvillim pozitiv dhe i shumëpritur. Kjo tregon gjithashtu dobësinë e mbështetësve të Asadit - Rusisë dhe Iranit, shkroi në rrjetin Iks Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.
Ajo shtoi se prioriteti i BE-së është të garantojë sigurinë në rajon dhe është e përkushtuar të punojë me të gjithë partnerët konstruktivë në Siri dhe më gjerë në rajon.
"Procesi i rindërtimit të Sirisë do të jetë i gjatë dhe kompleks dhe të gjitha palët duhet të jenë të gatshme të angazhohen në një mënyrë konstruktive", tha Kallas.
Kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Koshta, nga ana tjetër, vlerësoi se duke i dhënë fund diktaturës së Asadit e cila shkaktoi "vuajtje të mëdha", krijohet mundësi për liri dhe paqe për të gjithë popullin sirian.
"Ky është gjithashtu çelësi për stabilitetin më të gjerë të rajonit. BE është e gatshme të punojë me popullin sirian për një të ardhme më të mirë", ka thënë Koshta në publikimin në Iks.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në publikimin në Iks, madje deklaroi se “diktatura brutale e Asadit” është shembur, duke theksuar se ky “ndryshim historik në rajon ofron mundësi, por nuk është pa rreziqe”.
"Evropa është e gatshme të mbështesë ruajtjen e unitetit kombëtar dhe rindërtimin e shtetit sirian i cili do të mbrojë të gjitha pakicat", tha Fon der Lajen, duke shtuar se KE është në kontakt me liderët evropian dhe rajonal dhe po ndjek zhvillimet në Siri.
Dje në orët e hershme të mëngjesit, rebelët sirianë të udhëhequr nga Organizata islamike për çlirim (HTS) njoftuan se kishin marrë kontrollin mbi kryeqytetin Damask të Sirisë duke shpallur fitoren në luftën civile të vendit dhe duke porositën se qyteti ishte "çliruar, ndërsa tirani Bashar Asad është mposhtur”.
Foto: skrinshot