• e diel, 14 korrik 2024

Egjipti ka dërguar mbi 94.000 ton ndihma humanitare në Gazë që nga fillimi i konfliktit mes Hamasait dhe Izraelit

Egjipti ka dërguar mbi 94.000 ton ndihma humanitare në Gazë që nga fillimi i konfliktit mes Hamasait dhe Izraelit

Kajro, 11 qershor 2024 (MIA) - Ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Sameh Shukri sot deklaroi se vendi i tij ka dërguar më shumë se 94,000 ton ndihma humanitare në Rripin e Gazës dhe ka ofruar kujdes mjekësor për më shumë se 85,000 palestinezë që nga fillimi i konfliktit midis lëvizjes palestineze Hamas dhe Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.

Në një takim të nivelit të lartë në Jordani për përmirësimin e situatës kritike humanitare në enklavë, Shukri, gjithashtu njoftoi se Egjipti ka ndihmuar në evakuimin e 74.000 shtetasve të huaj dhe shtetasve të dyfishtë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike.

Në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të konferencës, presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të përhershëm.

Ai kërkoi lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite, si dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë ligjet në lidhje me mbrojtjen e civilëve.

Egjipti vazhdon të luajë rol kyç si ndërmjetës në negociatat e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në partneritet me Katarin dhe SHBA-në.

Egjipti e ka përshëndetur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB-së në mbështetje të planit të armëpushimit të propozuar nga presidenti i SHBA-së Xho Bajden në fund të muajit të kaluar.

Republika Arabe i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit që të ndërmarrin hapa serioze për të finalizuar marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për ta zbatuar atë pa vonesa ose kushte plotësuese. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR