Edhe tre persona nga zjarri në Koçan do të trajtohen në Turqi
- Edhe tre persona nga zjarri në Koçan do të trajtohen në Turqi, njoftuan pasdite nga ambasada turke.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:43, 20 mars, 2025

Shkup, 20 mars 2025 (MIA) - Edhe tre persona nga zjarri në Koçan do të trajtohen në Turqi, njoftuan pasdite nga ambasada turke.
Tre të rinj janë transportuar sot me aeroplan në spitalin "Çam dhe Sakura" në Stamboll.
Ambasadori turk në vend Fatih Ulusoj i shoqëroi të lënduarit në Aeroportin Ndërkombëtar, gjatë nisjes së tyre nga Shkupi.
Momentalisht në Turqi po trajtohen 12 persona të lënduar. Nga këto, gjysma janë në spitalin "Çam dhe Sakura" në Stamboll, ndërsa gjysma tjetër në spitalin "Bilkent Shehir" në Ankara.
Edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe kryenegociatori me BE-në, Mehmet Kemal Bozaj, i shprehu ngushëllimet mbarë popullit të Maqedonisë së Veriut për jetët e humbura në ngjarjen tragjike në Koçan.
"Zëvendësministri Bozaj, në një intervistë për emisionin „Across the Ballkans“, të transmetuar në "TRT World", iu referua ngjarjes tragjike që preku Maqedoninë e Veriut dhe shprehu ngushëllime", shtojnë nga ambasada.
Si vende të rajonit, e ndihmojmë vazhdimisht njëri-tjetrin. Siç e mbani mend, Maqedonia e Veriut, pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin tonë në vitin 2023, dërgoi ekipe për shpëtim. Pra, menjëherë pas kësaj ngjarje tragjike, dërguam aeroplanë dhe transportuam nëntë qytetarë të Maqedonisë së Veriut në Turqi për mjekim. Me këtë rast, edhe një herë shpreh ngushëllimet e mia të thella për të gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve", tha Bozaj.
Foto: Ambasada turke