• e premte, 22 nëntor 2024

E-blerësi i Maqedonisë i ngjashëm me atë të Ballkanit, bën marrëveshje deri 50 euro, ndërsa më së shumti shfrytëzon internet për rrjete sociale dhe telefonata

E-blerësi i Maqedonisë i ngjashëm me atë të Ballkanit, bën marrëveshje deri 50 euro, ndërsa më së shumti shfrytëzon internet për rrjete sociale dhe telefonata

Shkup, 12 nëntor 2024 (MIA) – E-blerësi i Maqedonisë është i ngjashëm me atë të Ballkanit, është i lidhur mirë me internet, por kryesisht e përdor për media sociale, telefonata, video thirrje,... Shumë shpesh bën porosi deri 50 euro dhe blen rroba. Gjatë kësaj, këtë nuk e ka shprehi, por e bën një deri në tre herë në tre muaj që nënkupton se është “blerës i rastësishëm onllajn”. Në përgjithësi paguan në para të gatshme gjatë dorëzimit dhe bën marrëveshje me prodhues vendorë. 

Siç tha sot në konferencën për media kryetarja e Asociacionit për e-tregti Nina Angellovska Stankov, disa nga shkaqet për karakteristikat e tilla janë mospasja e njohurive digjitale, niveli i ulët i shfrytëzimit të e-bankës, mospasja e shprehive për pagesë me kartelë, si dhe mospasja e besimit nëse do të arrijë produkti.  

Sa i përket tregtisë elektronike, vlerësoi Angellovska Stankov, edhe shpërndarja ndikon shumë. Sipas anketës së fundit që përfshin 40 kompani nga Ballkani Perëndimor, sfida më e madhe është pikërisht shpejtësia e dërgesës, fleksibiliteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i pamjaftueshëm i dërguesve, të cilat ndikojnë shumë në krijimin e përvojës së blerjeve online për qytetarët.

Të dhënat më të reja tregojnë se në vend mbi 86,6 për qind të amvisërive kanë qasje në internet, ndërsa 88,3 për qind nga popullata janë shfrytëzues aktivë të internetit. 

“Krahasuar me Evropën, rajoni ka nivelin më të ulët të mbajtësve të llogarive, të kartelave të pagesave dhe më së paku përdor kartelat e pagesave. Paratë e gatshme janë ende mënyra dominuese e pagesës. Sot do të shohim se si të ‘zgjidhen’ mënyrat e tjera të pagesës që janë normë në vendet e zhvilluara dhe ku pagesa me para në dorë nuk ofrohet si opsion”, theksoi Angellovska Stankov para fillimit të konferencës rajonale për tregtinë elektronike.

Vendet nga Ballkani Perëndimor kanë progres në e-tregtinë, por edhe krahas rritjes, janë renditur më së ulëti në krahasim me shtetet evropiane. 

“Kemi progres, por jemi larg nga arritja e vendeve evropiane. Kemi ende shumë punë për të bërë. Për sa i përket gatishmërisë për e-tregtinë, ne e shohim gjithmonë gatishmërinë digjitale si një parakusht. Këtu nuk jemi ende në një nivel të lakmueshëm sepse përsa i përket aftësive digjitale, rajoni renditet shumë poshtë dhe duhet përshpejtim. Për sa i përket e-tregtisë, Shqipëria shënoi rritje prej 370 për qind në pesë vitet e fundit dhe Serbia, si tregu më i madh, ka potencialin më të madh - 65 për qind të blerësve onllajn nga përdoruesit e internetit, ndërsa Maqedonia është në vendin e dytë me 54 për qind”, tha Angellovska Stankov.

E-blerësi i Maqedonisë, përveç rrobave, blen edhe elektronikë, produkte për amvisëri...

“Kemi dallime me blerësin evropian sa i përket elektronikës. Shqipëria, për shembull, blen më shumë se blerësi evropian, dhe malazezët porosisin shumë ushqime nga restorantet, ndryshe nga evropianët. Sa i përket marrëveshjeve, të cilat zakonisht janë deri në 50 euro, një nga arsyet është fuqia blerëse. Megjithatë, disa nga këto marrëveshje janë me para të gatshme. Në Evropë porositë janë mesatarisht nga 100 - 500 euro. Është gjithashtu e rëndësishme se sa shpesh bëni blerje, tek ne blerjet onllajn nuk janë endes hprehi”, theksoi kryetarja e Shoqatës së e-tregtisë..

Vlerësimi i saj është se edhe postat private kanë rritje të konsiderueshme në punë, por duhet të zbatojnë teknologji më moderne që ta optimizojnë punën dhe t’i ulin shpenzimet, si dhe ta përmirësojnë cilësinë. Mungesa e kuadrit, porositi, mund të tejkalohet me teknologji më të mirë. 

“Të dhënat e fundit janë inkurajuese. Mbi 86,6 për qind e amvisërive në vend kanë qasje në internet, ndërsa 88,3 për qind e popullsisë janë përdorues aktivë të internetit. Këto shifra e vendosin vendin tonë në pozitat kryesore në rajon, por reflektojnë edhe potencialin për zhvillim. Është inkurajuese të shohësh sesi platformat tona vendase tashmë po zbatojnë zgjidhje moderne teknologjike nga sistemet e avancuara të bazuara në inteligjencën artificiale, zgjidhjet inovative të pagesave, deri te mënyra të reja të ofrimit. Kjo tregon se ne kemi kapacitet për të zhvilluar zgjidhje që plotësojnë nevojat moderne të konsumatorëve dhe mund të avancojnë me standardet globale”, vlerëson ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do t’i kushtohet vëmendje krijimit të klimës së favorshme afariste e cila do të nxisë sipërmarrësi edhe në sferën digjitale. 

“Përmes dialogut dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm, ne do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e një ekosistemi më konkurrues dhe dinamik që do të jetë shtytësi i rritjes ekonomike dhe transformimit digjital. Me një vizion të përbashkët dhe përpjekje të koordinuara ne mund të kapërcejmë sfidat dhe të përdorim potencialin e plotë të ekonomisë digjitale në rajonin tonë për të arritur nivelin e tregjeve evropiane. Synimi ynë është të punojmë në lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe modernizimin e infrastrukturës logjistike”, tha ministri.

Në konferencën e shtatë rajonale për e-tregti e cila mbahet në Shkup nën moton „E-commerce: Untangling Potential” ka më shumë se 700 mysafirë – sipërmarrës të suksesshëm, e-tregtarë, drejtorë dhe menaxherë të kompanive dhe përfaqësues qeveritarë dhe joqeveritarë nga vendi. 

Siç tha Angellovska Stankov, potenciali i rajonit në fushën e e-tregtisë filloi të vërehet nga kompanitë ndërkombëtare që hynë në këto tregje, si dhe vërehet përhapja e kompanive rajonale në disa vende të Ballkanit Perëndimor. fc/

Fotografia/video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR