• e diel, 22 dhjetor 2024

Dy vëllezër të dyshuar se kanë detyruar tërheqjen e një ankese për prokurim publik

Dy vëllezër të dyshuar se kanë detyruar tërheqjen e një ankese për prokurim publik

Shkup, 1 shtator 2023 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike Shkup miratoi Urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj dy vëllezërve të moshës 23 dhe 25 vjeçare, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale si bashkëkryerës- Zhvatje nga neni 258 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Siç njoftoi Prokuroria Publike pasditen e sotme, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për një person juridik nga Vizbegu, ata të dy me forcë dhe kërcënim të rëndë, por edhe me përdorimin e armëve të zjarrit kanë detyruar një person të dëmtuar-përgjegjës në një kompani tjetër të tërheqë ankesën kundër vendimit për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme për prokurim publik të mobilieve shkollore dhe të tjera.

"Në shpalljen e prokurimit publik të shpallur nga një shkollë e mesme e Shkupit si ofertues më i favorshëm është zgjedhur kompania nga Vizbegu, pas së cilës kompania tjetër ka paraqitur ankesë kundër vendimit. Dy të dyshuarit më 22 gusht janë paraqitur në objektin afarist të personit tjetër juridik në rrugën “Blagoja Stefkovski” dhe kanë kërkuar nga i padituri që ta tërheqë ankesën. Në ditët në vijim kanë tentuar që përmes telefonit ta bindin të dëmtuarën që ta tërheqë ankesën, por ajo nuk iu është përgjigjur thirrjeve të tyre", njofton PP-ja.

Nga aty, shtojnë se më 29 gusht, dy të dyshuarit kanë ardhur sërish në firmën konkurruese, duke dërguar një kërcënim të drejtpërdrejtë: “Keni 24 orë kohë për të tërhequr ankesën, në të kundërt e gjithë kjo do të fluturojë në ajër”. E dëmtuara u ka kërkuar të largohen nga ambienti dhe u ka thënë se do të lajmërojë policinë, për të cilën ata kanë vazhduar ta kërcënojnë. Njëri nga vëllezërit e dyshuar ka nxjerrë një armë dhe ia ka drejtuar viktimës, ndërsa me dorën tjetër e ka kapur për qafe. Ata u larguan me kërcënime të reja se do të kthehen sërish, pas së cilës më 30 gusht personi juridik i dëmtuar tërhoqi ankesën e deklaruar kundër vendimit.

"Dyshimi themelor për veprën e kryer penale mbështetet me më shumë prova, duke përfshirë një video incizim nga kamerat e sigurisë në kompaninë e dëmtuar. Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, mundësinë e ndikimit të të dyshuarve te dëshmitarët dhe viktimat, por edhe përsëritjen e veprës penale, prokurori publik sot pasdite i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për dy bashkëkryerësit", thuhet në kumtesë. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR