• e premte, 05 dhjetor 2025

Durmishi: Përmes masës për investime të gjelbra janë hapur pothuajse 400 vende të reja pune

Durmishi: Përmes masës për investime të gjelbra janë hapur pothuajse 400 vende të reja pune

Shkup, 4 shtator 2025 (MIA) - Përmes masës për investime të gjelbra deri tani janë hapur pothuajse 400 vende të reja pune në sektorin privat, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, i cili së bashku me drejtorin e Agjencisë së Punësimit dhe përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së vizituan restorantin "Ksantika" si një nga shembujt e suksesshëm të investimeve të gjelbra.

"Deri më tani, 228 kompani kanë investuar në zgjidhje të gjelbra - panele fotovoltaike, efikasitet energjetik dhe pajisje moderne. Kompanitë kanë investuar mbi 200 milionë denarë nga fondet e tyre, që është më shumë se mbështetja shtetërore. Kjo tregon se politika e qeverisë nuk është vetëm një subvencion, por një katalizator për kapitalin privat dhe një ekonomi të gjelbër", theksoi Durmishi.

Mbështetja financiare për një vend të ri pune nga 205 mijë denarë në vitin 2022 u rrit në 250 mijë denarë në vitin 2024, ndërsa buxheti i përgjithshëm për masën arriti në 93 milionë denarë (rreth 1.5 milion euro).

Për vitin 2025, siç informojnë nga Ministria përkatëse, qëllimi është të mbështeten të paktën 200 vende të reja pune në maksimum 200 kompani, me mundësi mbështetjeje deri në 750 mijë denarë për kompani. Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do t'u ofrohen edhe shërbime trajnimi dhe këshillimi për efikasitet energjetik.

"Duke ndjekur trendet globale për kalimin në një ekonomi të gjelbër, Agjencia e Punësimit, së bashku me partnerët e saj, do të vazhdojë të zbatojë masa që stimulojnë krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht në kompanitë që fusin produkte, shërbime dhe teknologji të gjelbra në proceset e tyre", theksoi Drejtori i Agjencisë së Punësimit, Selatin Beluli.

Së bashku me partnerët qeveritarë, Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara ka disa vite që po zbaton masën për të mbështetur sektorin privat përmes investimeve të gjelbra.

"Interesi i madh midis aplikantëve është një provë e mëtejshme se kompanitë vendase të vogla dhe të mesme janë të vetëdijshme për rëndësinë e futjes së investimeve të gjelbra në proceset e punës dhe krijimin e vendeve të reja të punës që do të kontribuojnë në një tranzicion të gjelbër më efikas dhe më të shpejtë. UNDP mbetet i përkushtuar ndaj angazhimit të saj për të mbështetur sektorin privat duke mundësuar mekanizma të ndryshëm për rritjen e biznesit", theksoi përfaqësuesi rezident i UNDP-së në vend, Armen Grigorjan. sa/

Foto: Ministria e Ekonomisë dhe Punës

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR