• e hënë, 23 dhjetor 2024

Duda: Zelenski mund të kërkojë gjithçka, por Polonia nuk mund t'i japë gjithçka

Duda: Zelenski mund të kërkojë gjithçka, por Polonia nuk mund t'i japë gjithçka

Varshavë, 23 shkurt 2024 (MIA) - Presidenti i Polonisë Andzhej Duda deklaroi se presidenti i Ukrainës mund të kërkojë gjithçka, por Polonia nuk mund t'i japë atij gjithçka. Ai shtoi se qeveria polake nuk mund të bëjë shumë për bllokimin e kufirit me Ukrainën dhe e referoi atë në negociata me bujqit polakë, duke vlerësuar se importi i pakontrolluar i drithit ukrainas është një problem evropian.

“Për ukrainasit nuk mund të thuhet se janë mosmirënjohës. Ata janë në një situatë të vështirë. Volodimir Zelenski mund të kërkojë gjithçka, por ne nuk mund t'i japim atij gjithçka. Unë mund t'i fal për ato fjalë sepse ata janë nën presion të madh, njerëzit vdesin atje çdo ditë", deklaroi dje Duda për televizionin privat polak Polsat.

Lidhur me akuzat e fundit të Zelenskit se polakët nuk janë solidarë kur bujqitdhe transportuesit e tyre bllokojnë kufijtë, dhe apelit të mëvonshëm të Zelenskit drejtuar kryeministrit polak Donald Tusk që të takohet së bashku me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për të hequr bllokadat, Duda tha se kjo nuk është një problem polak por evropian.

"A duhet të negociojmë me bujqit që ata të ndalojnë protestat?" Për mendimin tim, kanë të drejtë. Ndjej thellësisht se kam mbështetur Ukrainën. I thashë kryeministrit Donald Tusk se ai është ndër zyrtarët më të lartë në Bruksel, i njeh përfaqësuesit evropianë, t'i bindë se ky është problem i tyre", tha Duda.

Ndërkohë, Tusk hodhi poshtë apelin e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për një takim urgjent, me mundësi sot, ku eventualisht do të merrte pjesë edhe Fon der Lajen, për të zgjidhur përshkallëzimin e bllokadave në kufirin me Ukrainën për shkak të protestave të bujqive dhe transportuesve polakë.

“E thashë qartë. Ne nuk kemi nevojë për simbolikë në marrëdhëniet tona. Qeveritë e Polonisë dhe Ukrainës do të takohen më 28 mars në Varshavë”, tha në mënyrë kategorike kryeministri polak.

Tusk kujtoi se Polonia prej kohësh e ka bërë të qartë se është detyrimi i qeverisë të mbrojë tregun e saj, përfshirë produktet bujqësore.

"Paralajmëruam për kërcënimet që lidhen me liberalizimin e tregtisë me Ukrainën. Ndihma për Ukrainën në luftën me Rusinë është pa diskutim. Do të kërkojmë zgjidhje edhe në negociatat me Ukrainën edhe institucionet evropiane që pasojat negative të liberalizimit të tregtisë me Ukrainën të ndjehen sa më pak. Bujqit mund të mbështeten tek unë”, tha Tusk në konferencën e djeshme për shtyp në Varshavë.

Zelensky, pas rritjes së trazirave në protestat e bujqëve polakë dhe pasi demonstruesit hodhën grurin nga kamionët dhe vagonët ukrainas në rrugë ose hekurudha, megjithëse në tranzit në tregje të tjera, akuzoi polakët për mungesë solidariteti me vendin e shkatërruar nga lufta. Madje, përfaqësuesit e dy qeverive shkëmbyen kërcënime për vendosjen e një embargoje të plotë të importit të mallrave nga vendi tjetër. ls/

Foto: Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR