Drobnjak: Maqedonia e Veriut mund të arrijë përsëri hapin për BE duke punuar në agjendën e reformave
- Maqedonia e Veriut mund të arrijë përsëri hapin duke filluar punën për agjendën e reformave. Agjenda 2030 e BE-së është aktive, ndërsa perspektiva e anëtarësimit të vendit në BE është reale, e arritshme dhe e realizueshme, tha në debatin e sotëm me temën "Reformat si përgjegjësi e përbashkët: Ndërtimi i konsensusit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE", Vladimir Drobnjak, ish kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe ekspert i UNOPS-it.

Shkup, 22 prill 2025 (MIA) - Maqedonia e Veriut mund të arrijë përsëri hapin duke filluar punën për agjendën e reformave. Agjenda 2030 e BE-së është aktive, ndërsa perspektiva e anëtarësimit të vendit në BE është reale, e arritshme dhe e realizueshme, tha në debatin e sotëm me temën "Reformat si përgjegjësi e përbashkët: Ndërtimi i konsensusit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE", Vladimir Drobnjak, ish kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe ekspert i UNOPS-it.
"Rendi ndërkombëtar po ndryshon dhe niveli i pasigurisë është rritur ndjeshëm. Dikush mund të thotë se aktualisht institucionet globale po zbërthehen dhe ne nuk e dimë se si do të duket e ardhmja. Megjithatë, BE-ja mbetet në këtë rrugë strategjike dhe në këtë moment strategjik, e fortë dhe relevante më shumë se kurrë për të ofruar forcë dhe mbrojtje në të njëjtën kohë. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme dhe pika më e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut. “Duke marrë parasysh se e kemi këtë pasiguri në kohën që jetojmë, të gjithë duhet të kuptojnë se interesi kombëtar i shërben më së miri qëllimit kur funksionojnë zgjidhjet evropiane, dhe qendra e gravitetit të Maqedonisë së Veriut nuk është Shkupi, por Brukseli dhe Uashingtoni”, tha Drobnjak.
Sipas tij, askush nuk mund të theksojë mjaftushëm se sa i rëndësishëm është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, dhe gjithashtu edhe në BE. Zgjerimi i BE-së po ndodh në një mjedis shumë kompleks, i ndikuar nga lufta në Ukrainë, si dhe nga politika e re amerikane e presidentit Tramp. Ai e përshkroi situatën e zgjerimit me tre fjalë kyçe - perspektivë, zbrazëti por edhe kushtëzim dhe numrin 2030.
Ai vlerësoi se qytetarët e vendit duhet ta dinë se perspektiva për anëtarësimin e vendit në BE është reale, e arritshme dhe e realizueshme, e cila buron nga dokumentet e BE-së. Zbrazëtira ose hendeku, nga ana tjetër, i referohet konvergjencës së pamjaftueshme socio-ekonomike midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, për tejkalimin e përshpejtuar të së cilës duhet të ndihmojë Plani i Rritjes dhe agjenda e miratuar e reformave - instrumente të reja të krijuara posaçërisht për të reduktuar këtë hendek.
Fjala kushtëzim, shton ai, i referohet kushteve të shumta që një vend duhet të plotësojë për t'u bërë anëtar i BE-së. Ai theksoi se vendi nuk është i vetmi që është përballur me probleme në rrugën e tij evropiane dhe vuri në dukje përvojën e Kroacisë në negociatat për anëtarësim në BE - bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, problemin me kufirin detar me Italinë dhe gjithë pakon e çështjeve kufitare me Slloveninë.
Numri 2030, tha Drobnjak, tregon se BE-ja mbetet e gatshme për zgjerim, përkatësisht se një zgjerim i madh është përpara deri në vitin 2030, por edhe se Unioni ka ende punë për të bërë në reformat e brendshme dhe kuadrin financiar shumëvjeçar për 2028-2034. Për Maqedoninë e Veriut, ai theksoi se në mungesë të një fillimi zyrtar të negociatave të anëtarësimit, Agjenda e Reformave është mjeti më i rëndësishëm që ka në dispozicion që mund ta përdorë.
Duke iu referuar suksesit të Kroacisë, Drobnjak tha se kjo është për shkak të momentit të mirë që BE-ja ishte gati të pranonte Kroacinë në një proces të bazuar në merita, dhe mbi të gjitha për konsensusin kombëtar të arritur në Parlament dhe në opinion dhe për ekipin e mirë negociator që mbeti i pandryshuar që nga fillimi deri në fund të procesit. ls/
Foto: Printskrin