Driton Sulejmani: VLEN u bë shpresa që fitoi dhe do të fitojë bindshëm edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale
- ëdhënësi i Shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani sot në një deklaratë për mediat theksoi se shqiptarët në zgjedhjet lokale dërguan një mesazh të qartë se koha e "qeverisjes së keqe, arrogancës dhe mashtrimit ka mbaruar".
- Post By Fami Bajrami
- 15:36, 22 tetor, 2025
Shkup, 22 tetor 2025 (MIA) - Zëdhënësi i Shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani sot në një deklaratë për mediat theksoi se shqiptarët në zgjedhjet lokale dërguan një mesazh të qartë se koha e "qeverisjes së keqe, arrogancës dhe mashtrimit ka mbaruar".
"Sot, tre ditë pas 19 tetorit, një gjë është e qartë si drita e diellit: shqiptarët folën me një zë të vetëm dhe zgjodhën ndryshimin. Ata dërguan një mesazh të fuqishëm, koha e keqqeverisjes, arrogancës dhe mashtrimit ka marrë fund por edhe në pushtetin lokal. Në çdo cep ku ka shqiptarë, u ndje fryma e fitores, u ndje forca e VLEN-it. Fuqishëm kemi hyrë në raundin e dytë në Tetovë, Dibër, Strugë, Bogovinë, Bërvenicë, Dollnen, ku qytetarët e kanë bërë të qartë se duan dinjitet, zhvillim dhe politikë të pastër", tha Sulejmani. Ai tha se përballë kësaj vullneti të madh qytetar, AKI dështoi por edhe pas humbjes, liderët e këtij koalicioni të zhgënjyer nuk nxorën asnjë mësim.
“Në vend se të reflektojnë, ata vazhdojnë të ofendojnë qytetarët, të shpifin dhe të përpiqen të manipulojnë opinionin, ashtu siç kanë bërë për 20 vjet rresht. Madje, për të shpëtuar ato pak shpresa që u kanë mbetur, ata janë gati të shkojnë edhe me djallin, konkretisht me Levicën albanofobe, duke dëshmuar se për pushtet janë gati të shesin çdo parim e çdo ideal që dikur e përmendnin në fjalime. Por shqiptarët nuk mashtrohen më. Ata e dinë se ndryshimi është i pakthyeshëm. Ata e dinë se e ardhmja është me VLEN, me njerëzit e punës, dinjitetit dhe vizionit”, tha Sulejmani.
Ai në emër të gjithë kandidatëve, strukturave dhe mbështetësve, falënderoi nga zemra çdo qytetar që doli, votoi dhe besoi.
“Ju ishit forca e këtij ndryshimi, ju ishit zëri i së ardhmes. VLEN falë jush u bë shpresa që fitoi dhe do të fitojë përfundimisht në raundin e dytë!”, ka thënë Sulejmani.
Foto: arkivi i MIA-s