• e hënë, 23 dhjetor 2024

Drejtori i SHPPP-së Tomovski i ka rritur për 50 për qind çmimet e shërbimeve hotelierike në objektet qeveritare

Drejtori i SHPPP-së Tomovski i ka rritur për 50 për qind çmimet e shërbimeve hotelierike në objektet qeveritare

Shkup, 25 korrik 2024 (MIA) - Drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, paralajmëroi rritje të çmimeve të shërbimeve hotelierike në objektet qeveritare.

"Rritje e çmimeve të shërbimeve hotelierike në objektet qeveritare, nuk ka më ushqim 'bagatelë' në kurriz të shtetit! Në periudhën e kaluar, opinioni shpesh me të drejtë i kushtoi vëmendje çmimeve të ulëta dhe jo konkurruese, të cilat i përdornin shërbimet hotelierike të Shërbimit qeveritar për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP)", shkruan Tomovski në faqen e tij në Fejsbuk.

Në debate të tilla, shtoi ai, posaçërisht u apostrofuan restorantet parlamentare dhe qeveritare, ku çmimet e shërbimeve dhe të produkteve ishin dukshëm më të ulëta se ato të tregut të lirë, në dispozicion për qytetarët.

"Duke iu përgjigjur këtyre vërejtjeve të arsyeshme shumëvjeçare, si dhe në funksion të racionalizimit të mëtejshëm, me propozimin tim si drejtor i SHPPP-së, Qeveria dje njëzëri miratoi vendimin fillestar për rritjen e çmimeve të shërbimeve hotelierike për 50 për qind. Kjo rritje e çmimeve nuk është e tepruar, duke marrë parasysh se më parë çmimet ishin dukshëm më të ulëta në krahasim me tregun privat", shtoi Tomovski.

Ai paralajmëroi se në periudhën në vijim do të bëhen analiza shtesë dhe çdoherë që do të paraqitet nevoja për shkak të devijimeve nga çmimet e tregut, do të ketë korrigjime, duke shtuar se synimi është që të sigurohet qasje e  barabartë në të gjitha shërbimet, por pa privilegje për zyrtarët e përzgjedhur dhe kuadrin udhëheqës. bsh/

Foto: MIA arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR