• e hënë, 23 dhjetor 2024

Drejtori i ITSHKSH-së Asani realizoi një vizitë të suksesshme pune në Kroaci

Drejtori i ITSHKSH-së Asani realizoi një vizitë të suksesshme pune në Kroaci

Shkup, 23 tetor, 2024

 Drejtori i ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, ka qëndruar në një vizitë disaditëshe pune në Kroaci. Përpos takimeve me personalitete shkencore e publike, ai ditë më parë (21 tetor) në praninë e drejtuesve të këtij qyteti, të përfaqësuseve të komuniteteve fetare- shqiptare si dhe të Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Kroaci, z. Milaim Fetait, përfshi edhe Konsullin e nderit të Republikës së Shqipërisë në Osjek, z. Basri Aliti, drejtori Asani ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e shtatores së Nënës Tereze në Osijek, me ç’rast është organizuar edhe një konferencë shkencore kushtuar kësaj gruaje të madhe, pjesëmarrës i së cilës ishte edhe ai.

Duke folur për personalitetin kompleks të Nënës Terezë, në kumtesën e tij me titull “Një figurë që bashkon tre emra, ngjashëm si trinia e shenjtë”, Asani vuri në pah se Shën Nëna Terezë përfaqëson figurën më emblematike që bashkon universalitetin e virtytit njerëzor dhe shenjtërinë hyjnore.

Duke qenë midis njerëzores dhe hyjnores, ajo u mundua të na tregojë se thellë në natyrën e njeriut bashkëjetojnë flijimi, ndërgjegjësimi dhe besimi, si tre komponente që e bëjnë të veçantë qenien njerëzore, nënvizoi Asani.

Në vazhdën e bashkëpunimit të ITSHKSH-së me Arkivin Shtetëror të Koracisë, drejtori Asani zhvilloi një takim pune edhe me drejtorin e këtij arkivi Dr. Dinko Çutura, si dhe me ndihmësin e tij, Dr. Amir Obhodash. Pas këtij takimi, drejtori Asani u shpreh se puna hulumtuese që është bërë viteve të fundit në këtë Arkiv, na ka dhënë nxitje shtesë që të vazhdojmë me projekte të reja, duke sjellë fakte e njohuri specifike mbi ngjarje e njerëz në kohë e hapësira të ndryshme, por që lidhen kryesisht me historinë shqiptare.

Ai me këtë rast u ka shprehur mirënjohje drejtuesve të Arkivit Shtetëror të Kroacisë për mbështetjen shumë korrekte që po i japin punës hulumtuese-shkencore të ITSHKSH-së. Me qëllim të njohjes nga afër të organizimit dhe dinamikës së përditshmërisë së komunitetit shqiptar në Kroaci, drejtori Asani vizitoi edhe Unionin e Shqiptarëve në Kroaci, ku u prit nga kryetari i këtij Unioni, z. Esad Çollaku, me të cilin shkëmbyen njohuri e përvoja mbi rrjedhat historike e aktuale nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar.

Me këtë rast z. Çollaku ka shprehur interesim mbi mundësitë e bashkëpunimit të shumanshëm në mes të ITSHKSH-së dhe Unionit të Shqiptarëve në Kroaci. Kjo edhe për faktin se, siç tha Prof.dr. Skender Asani, lidhja e shqiptarëve me Kroacinë, si në të kaluarën, si sot, është shprehje e një tradite të gjatë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ai bashkë me z. Çollakun u zotuan se vazhdimi i kësaj tradite do të jetë edhe prioritet i përbashkët në të ardhmen.

ITSHKSH

________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR