• e hënë, 23 dhjetor 2024

Drejtoresha e USAID-it do të shpallë 25 milionë dollarë ndihmë humanitare për Haitin

Drejtoresha e USAID-it do të shpallë 25 milionë dollarë ndihmë humanitare për Haitin

Uashington, 15 mars 2024 (MIA) - Drejtoresha e USAID-it, Samta Pauer, sot do të shpallë ndihmë humanitare prej 25 milionë dollarë për Haitin, përderisa populli i Karaibeve përballet me krizë afatgjate politike dhe humanitare. 

Njoftimi për ndihmë të mëtutjeshme vjen pasi dhuna e bandave u rrit në Haiti, duke nxitur krizën humanitare, duke e ndërprerë furnizimin me ushqim dhe duke i detyruar qindra mijëra njerëz që të largohen nga shtëpitë e tyre. 

Ndihma shtesë nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së do të jetë e dedikuar për ndihmë urgjente në ushqim, mjete themelore për ndihmë, mbështetje për zhvendosje dhe mbrojtje urgjente shëndetësore, thuhet në kumtesën e Pauer. 

Ajo theksoi se mbështetja psiko-sociale, uji i sigurt për pije dhe mbrojtja e më të ndjeshmëve, duke përfshirë edhe gra dhe vajza, gjithashtu do të jenë pjesë e ndihmës. 

"Gjatë javëve të fundit, dhuna nga grupet e organizuara kriminale është përshkallëzuar dhe përkeqësuar në mënyrë dramatike atë që tashmë është situatë e vështirë humanitare në Haiti. Dhuna e paqëndrueshme shërben vetëm për të vonuar procesin demokratik, ndërkohë që prish jetën e miliona njerëzve. Ne u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve në Haiti që t'i japin fund dhunës dhe të bëjnë lëshimet e nevojshme për të lejuar zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme, dërgimin e qetë të ndihmës dhe rivendosjen e demokracisë", shtoi ajo.

Pauer, gjithashtu, ju bëri thirrje donatorëve të tjerë që ta rrisin ndihmën humanitare për vendin. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR