Dr.Todorovska për MIA: Melanoma është në rritje, pacientja ime më e re ishte 22 vjeç, zbulimi i hershëm çon drejt shërimit
- Në rritje është numri i të prekurve nga melanoma, kanceri më i rrezikshëm i lëkurës. Ai mund të shfaqet në çdo moshë dhe është shkaku më i shpeshtë i vdekjeve tek personat nën 30 vjeç, sidomos tek gratë. Pacientja më e re me melanoma në praktikën time është një vajzë 22-vjeçare dhe pothuajse një e treta e melanomave të reja shfaqen tek të rinjtë nën 45 vjeç. Djegiet nga dielli janë shkaku kryesor i shfaqjes së melanomës, përveç faktorëve gjenetikë. Duhet të bëhet një kontroll parandalues të paktën një herë në vit – thotë në një intervistë për MIA-n specialistja dermatovenerologe dhe përfaqësuese kombëtare në Shoqatën Ndërkombëtare të Dermoskopisë, Dr. Verçe Todorovska nga ISHP “Derma Nova”.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:09, 16 gusht, 2025
Shkup, 16 gusht 2025 (MIA)
Renata Pepeljugoska
Në rritje është numri i të prekurve nga melanoma, kanceri më i rrezikshëm i lëkurës. Ai mund të shfaqet në çdo moshë dhe është shkaku më i shpeshtë i vdekjeve tek personat nën 30 vjeç, sidomos tek gratë. Pacientja më e re me melanoma në praktikën time është një vajzë 22-vjeçare dhe pothuajse një e treta e melanomave të reja shfaqen tek të rinjtë nën 45 vjeç. Djegiet nga dielli janë shkaku kryesor i shfaqjes së melanomës, përveç faktorëve gjenetikë. Duhet të bëhet një kontroll parandalues të paktën një herë në vit – thotë në një intervistë për MIA-n specialistja dermatovenerologe dhe përfaqësuese kombëtare në Shoqatën Ndërkombëtare të Dermoskopisë, Dr. Verçe Todorovska nga ISHP “Derma Nova”.
Me një edukim ndërkombëtar shtesë në fushën e dermato-onkologjisë, ajo prej më shumë se 15 vitesh punon për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës. Është ligjëruese në shumë kongrese rajonale e ndërkombëtare dhe bashkautore e librave për dermoskopinë dhe studime shkencore në fushën e dermato-onkologjisë. Që nga viti 2016 merr rregullisht pjesë në fushatën panevropiane për kontrolle falas, Euromelanoma. Disa herë në vit kryen kontrolle dermoskopike falas për të moshuarit në azilet e pleqve. Motoja e saj është:“Çdo muaj është muaj i luftës kundër kancerit të lëkurës – i vetmi kancer që mund të parandalohet në 90% të rasteve dhe nëse zbulohet herët, mund të shërohet pothuajse plotësisht!”
Dr. Todorovska thekson se një djegie e vetme e rëndë nga dielli e dyfishon rrezikun për melanoma, ndërsa edhe vetëm një vizitë në solar rrit rrezikun me 75%. Ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit UV është një shkak i provuar për kanceret e lëkurës, ndërsa rrezet UV janë të konfirmuara si kancerogjene, të klasifikuara në grupin 1 bashkë me duhanin dhe plutoniumin.
Kanceri i lëkurës, nëse nuk hiqet në kohë, mund të metastazojë në gjithë trupin dhe ta rrezikojë jetën. Çdo person duhet të bëjë një kontroll parandalues, të ashtuquajtur “screening” për kancer të lëkurës, një herë në vit – njësoj siç bëjmë kontrolle për kancerin e gjirit me eko e mamografi, PAPA-test për kancerin e qafës së mitrës etj. Vetëm zbulimi i hershëm garanton rezultat pozitiv dhe madje shërim të plotë. Kontrolli është i sigurt, i shpejtë dhe pa dhimbje, nuk kërkon përgatitje të veçantë dhe bëhet me dermoskop – një lloj mikroskopi dore – thekson Dr. Todorovska.
Ajo shton se duhet të bëhet dermoskopia sa herë që vërehet ndryshim në dukjen e nishaneve. Edhe kur nuk ka gjë të dukshme, duhet bërë një kontroll parandalues të paktën një herë në vit. Ajo rekomandon që kontrollet e lëkurës të përfshihen në kontrollet sistematike të punonjësve në institucione dhe në kompani.

Sa i përket shfaqjes së alergjive të lëkurës pas ekspozimit në diell, ajo thekson se është e domosdoshme përdorimi i antihistaminikëve, beta-karotenit dhe polipodium leucotomos si përgatitje para se të shkohet me pushime.
Mbrojtja nga dielli duhet të përfshijë përdorimin e kremrave të posaçëm për lëkurë të prirur ndaj alergjive (filtra mineralë dhe shtesa që e ulin reaktivitetin e lëkurës). Shmangia e orëve me rrezatim maksimal ndihmon shumë, po ashtu edhe ekspozimi gradual në diell – në fillim intervale të shkurtra që zgjaten dalëngadalë. Përdorimi lokal i mjeteve qetësuese, si xhel aloe vera ose kremrat e posaçëm pas diellit, ndihmojnë për rikuperim më të shpejtë të lëkurës – shton Dr. Todorovska.
Sipas saj, vetëm 10 deri në 15 minuta në ditë, disa ditë në javë, dhe ekspozimi i 15% të trupit ndaj rrezeve të diellit janë të mjaftueshme që lëkura të sintetizojë sasinë e nevojshme të vitaminës D pa u djegur.
Sa i përket trajtimeve bashkëkohore për sëmundjet e lëkurës, përfshirë vitiligon, ajo thotë se personat e prekur duhet patjetër të mbrojnë lëkurën e zbardhur me faktor të lartë mbrojtës (SPF), pasi ajo nuk ka melanocite – qelizat përgjegjëse për ngjyrën dhe për mbrojtjen nga rrezet UV. Ilaçi më i ri për vitiligon, në formë kreme, është miratuar nga FDA në vitin 2022 – shton Dr. Todorovska.

Ekspozimi i gjatë në diell, veçanërisht gjatë verës, është i rrezikshëm për shëndetin dhe mund të rrisë shanset për kancer të lëkurës. A ka gjeneratë të re barnash në nivel botëror dhe tek ne?
Ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit UV është shkak i provuar për kanceret e lëkurës. Rrezet UV janë të konfirmuara si kancerogjene dhe janë klasifikuar në grupin 1, bashkë me duhanin dhe plutoniumin. Faktorët globalë klimatikë, vrima e ozonit, ndotja e ajrit – të gjitha këto kanë çuar në rritje drastike të sasisë së rrezeve UV ndaj të cilave jemi të ekspozuar çdo ditë, e bashkë me to edhe në rritje të rasteve të reja të kancerit të lëkurës.
Ekzistojnë tre lloje të kancerit të lëkurës: karcinoma bazocelulare, karcinoma planocelulare dhe melanoma. Ekspozimi i rrallë, por intensiv në diell, si dhe djegiet nga dielli, veçanërisht në fëmijëri, e rrisin rrezikun për shfaqjen e melanomës. Ndërsa ekspozimi i zgjatur dhe i tepruar në rrezet e diellit është përgjegjës për kanceret jo-melanomë të lëkurës – karcinomën bazocelulare dhe atë skuamocelulare.
Karcinoma skuamocelulare vjen më pas dhe bart një rrezik të caktuar për metastaza lokale.
Melanoma është më e rralla, por më e rrezikshmja, përgjegjëse për shumicën e vdekjeve nga kanceri i lëkurës, për shkak të përhapjes së shpejtë dhe metastazimit në organet vitale.
Kanceri i lëkurës nuk është vetëm “sëmundje e lëkurës”, por njësoj si të gjithë kanceret e tjerë – një sëmundje malinje e fshehtë, e cila, nëse nuk hiqet në kohë, mund të metastazojë në të gjithë trupin dhe të rrezikojë jetën. Zbulimi i hershëm dhe heqja me ndërhyrje kirurgjikale ambulatore, me anestezi lokale, janë garancia e vetme për prognozë të mirë dhe mundësi për shërim pothuajse të plotë.
Kur shfaqen metastazat, trajtimi përfshin terapi imune, e cila aplikohet që nga viti 2011 dhe është e disponueshme edhe tek ne – si imunoterapi dhe terapi e synuar (target therapy), në kuadër të specialitetit të onkologjisë.

Sa shpesh duhet bërë kontrolli parandalues për zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës, çfarë përfshin ai kontroll dhe cilat janë shkaqet e shfaqjes së kësaj sëmundjeje?
Çdo person duhet të bëjë një kontroll parandalues, të ashtuquajtur “skrining” për kancer të lëkurës, një herë në vit – njësoj siç bëjmë kontrolle për kancerin e gjirit me eko dhe mamografi, apo PAP-test për kancerin e qafës së mitrës. Vetëm zbulimi i hershëm garanton rezultat pozitiv dhe madje shërim të plotë. Rekomandimi im është që kontrollet e lëkurës të përfshihen edhe në kontrollet sistematike të punonjësve në institucione dhe kompani.
Kontrolli është i sigurt, i shpejtë dhe pa dhimbje, nuk kërkon përgatitje të veçantë. Ai bëhet me dermoskop – një lloj mikroskopi dore që vendoset mbi sipërfaqen e lëkurës dhe me të shihen strukturat dermoskopike 1–2 mm nën sipërfaqen e lëkurës, të padukshme me sy të lirë apo edhe me lupë.
Kontrolli me dermoskop gjithmonë duhet të përfshijë të gjithë lëkurën, jo vetëm pjesët e ekspozuara në diell, jo vetëm nishanet e mëdha apo ato që i tregon pacienti, pasi melanoma mund të shfaqet në çdo pjesë të trupit – madje edhe nën thonj, nën flokë, në zona intime, në shputa dhe pëllëmbë. Mund të jetë me ngjyrë të errët, por edhe krejt pa ngjyrë, në nivel të lëkurës ose e ngritur.
Djegiet nga dielli janë shkaku kryesor për shfaqjen e melanomës, përveç gjenetikës. Një djegie e vetme e rëndë nga dielli e dyfishon rrezikun për melanomë, ndërsa edhe vetëm një vizitë në solar e rrit rrezikun me 75 për qind.
Numri i të sëmurëve nga melanoma është në rritje. Kjo nuk është sëmundje vetëm e të moshuarve – mund të shfaqet në çdo moshë dhe është shkaku më i shpeshtë i vdekjes tek personat nën 30 vjeç, sidomos tek gratë. Pacientja më e re me melanoma në praktikën time është një vajzë 22-vjeçare, dhe pothuajse një e treta e melanomave të reja shfaqen tek të rinjtë nën 45 vjeç!

Gjithnjë e më shumë njerëz pas ekspozimit në diell kanë alergji në lëkurë në qafë, duar, këmbë… Pse ndodh kjo, çfarë duhet të bëjnë këta njerëz dhe a mund të ndihmojë përdorimi i preparateve vitaminike disa muaj para pushimeve që ajo të ulet?
Emri i saktë i kësaj gjendjeje është erupsion polimorf i dritës – shfaqje e skuqjes, më së shpeshti në parakrahë, qafë dhe dekolte, që ndodh çdo verë gjatë ekspozimit të parë më intensiv në diell. Tek secili manifestohet ndryshe: me urtikarie, pika të kuqe ose puçrra të vogla, që kruhen fort.
Përdorimi i antihistaminikëve, beta-karotenit dhe polypodium leucotomos si përgatitje para pushimeve ndihmon në uljen e simptomave dhe normalizimin më të shpejtë të gjendjes. Mbrojtja nga dielli duhet të përfshijë përdorimin e kremrave të posaçëm për lëkurë të prirur ndaj alergjive (me filtra mineralë dhe shtesa që e ulin reaktivitetin e lëkurës). Shmangia e orëve me rrezatim maksimal ndihmon shumë, si edhe ekspozimi gradual – në fillim intervale të shkurtra dhe pastaj zgjatje e ngadaltë. Përdorimi lokal i preparateve qetësuese, si xhel aloe vera ose kremrat “after sun”, ndihmon gjithashtu në rikuperim më të shpejtë.
Sa kohë në ditë dhe në cilin periudhë duhet të ekspozohet trupi në diell për të krijuar nivel të mjaftueshëm të vitaminës D në lëkurë, i cili zvogëlohet me kalimin e viteve?
Vetëm 10–15 minuta në ditë, disa ditë në javë, me ekspozim të 15% të trupit ndaj rrezeve të diellit, janë të mjaftueshme që lëkura të sintetizojë sasinë e nevojshme të vitaminës D pa u djegur! Nëse pavarësisht kësaj keni nivel të ulët të vitaminës D, duhet të konsultoheni me mjekun për suplementim. Ekspozimi i tepruar dhe i pambrojtur në diell nuk e rrit nivelin e vitaminës D, por vetëm rrezikun nga djegiet dhe kanceri i lëkurës

Pas ekspozimit në diell, tek disa njerëz shfaqen njolla. Si mund të zbardhen ato?
Hiperpigmentimet dhe melasma janë shumë të shpeshta dhe bëhen më të dukshme gjatë verës. Rekomandimi kryesor në këtë periudhë është përdorimi i një faktori të lartë mbrojtës, posaçërisht për lëkurë të prirur ndaj pigmentimeve, që ndalon thellimin e mëtejshëm të njollave. Për shkak se drita blu është një nga faktorët që mbajnë gjallë njollat e errëta dhe ndaj saj jemi të ekspozuar vazhdimisht nga monitorët dhe ekranet, është e domosdoshme përdorimi i kremrave që përmbajnë oksid hekuri – pra kremra me ngjyrë, që mbrojnë edhe nga drita blu. Zbardhja kryhet në muajt e dimrit me preparate të ndryshme për përdorim lokal, si vitamina C, arbutina, acidi kojik dhe traneksamik, acidi azelaik, rezorcina, retinoidet…. Trajtimi përcaktohet nga dermatologu, në varësi të tipareve të lëkurës. Por më e rëndësishmja për suksesin e trajtimit është përdorimi i përditshëm i SPF të paktën 30, gjatë gjithë vitit dhe sa herë që ekspozohemi në diell.

Çfarë duhet bërë në rast të ndryshimeve në pamjen e nishaneve? Çfarë duhet të jetë sinjal alarmi dhe arsye për konsultim me dermatologun që do të bëjë dermoskopi?
Dermoskopi duhet bërë nëse vërehet një nishan që nuk i ngjan asnjë tjetri (shenja e “rosës së shëmtuar”), një nishan i ri që rritet, apo një ekzistues që ndryshon – humbet ngjyrën ose fiton ngjyra të reja (të zeza, të kuqe, gri, të bardha), shfaq simptoma të reja si kruarje, dhimbje, gjakderdhje, është i errët, me shkëlqim, i zi mes nishaneve kafe të çelëta, apo është në rajone të rrezikshme – këmbë tek gratë dhe shpinë tek burrat – dhe ndryshon.
Një nishan i ri pas moshës 45 vjeç, zakonisht nuk është vërtet nishan, sepse në atë moshë nuk shfaqen më të reja. Shumicën e nishaneve i kemi që në fëmijëri dhe rini. Çdo ndryshim i ri i lëkurës, sidomos pas moshës 50 vjeç, duhet kontrolluar me dermoskop për të përcaktuar nëse është i mirë (lentigo solar, keratozë seborrheike, papilomë, tumor beninj) apo malinj (kancer i lëkurës). Nishanet e dëmtuara që gjakosin patjetër duhet kontrolluar, sepse edhe melanoma, në një fazë të caktuar, mund të gjakosë edhe pa dëmtim.
Edhe kur nuk ka asgjë të pazakontë, duhet bërë kontroll parandalues të paktën një herë në vit. Melanoma nganjëherë nuk ndjek rregullat. Metoda më e sigurt për ta zbuluar është dermoskopia – një ekzaminim që mund të shpëtojë jetë!

A ka trajtime moderne dhe efektive për sëmundjet e lëkurës, përfshirë vitiligon?
Dermatologjia është degë e mjekësisë që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e mbi 3000 sëmundjeve. Terapia gjithmonë duhet të jetë e personalizuar, e përshtatur për pacientin, zonën që trajtohet dhe gjendjen klinike momentale, që ndryshon nga rasti në rast. Përshkrimi i barnave magistrale, që përgatiten në farmaci sipas recetës së dermatologut, pikërisht këtë e mundëson – një terapi të personalizuar që jep rezultatet më të mira.
Vitiligo shpesh diagnostikohet për herë të parë në verë, sepse bëhet më i dukshëm, veçanërisht tek personat me ten të çelët, pasi lëkura pa pigment mbetet krejtësisht e bardhë në kontrast me lëkurën e nxirë. Ekzaminimi me dermoskop që ka edhe dritë Wood ndihmon në vendosjen e diagnozës. Personat me vitiligo duhet patjetër të mbrojnë lëkurën e bardhë me faktor të lartë mbrojtës (SPF), pasi ajo nuk ka melanocite – qeliza përgjegjëse për ngjyrën dhe mbrojtjen nga rrezet UV. Medikamenti më i ri për vitiligo, në formë kreme, është miratuar nga FDA në vitin 2022.
A është e vërtetë që disa antibiotikë dhe lloje të tjera ilaçesh mund ta bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit, sidomos tek ata me ten më të çelët?
Po, kjo quhet fotosensitivitet, që shkaktohet nga disa ilaçe dhe e bën lëkurën tepër të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit, duke çuar në skuqje ose djegie, të kufizuara vetëm në pjesët e ekspozuara ndaj diellit. Nëse ndodh një reagim i tillë, rekomandohet ndërprerja e ilaçit dhe shmangia e ekspozimit në diell. Lista e këtyre barnave është mjaft e gjatë dhe përfshin grupe të ndryshme:
Antibiotikë: doksiciklinë, tetraciklinë, ciprofloksacin, sulfonamide
Antiaritmikë: amiodaron, nifedipin, kininë, diltiazem
Diuretikë: furosemid, hidroklortiazid
Analgjetikë: naproksen
Ilaçe për aknet: izotretinoin
Disa antipsikotikë: klorpromazinë
Antidepresivë: imipramin, sertralin
Këshillohet të konsultoheni me mjekun tuaj nëse përdorni ndonjërin prej këtyre barnave dhe planifikoni pushime me ekspozim në diell.
Shumë më të shpeshta janë rastet e të ashtuquajturit fitofotodermatitis, kur lëkura që ka qenë në kontakt me disa bimë që përmbajnë furokumarinë merr djegie dhe më pas njolla me ngjyrë të errët, me formë të çuditshme dhe kufij të theksuar, vetëm në vendin e kontaktit. Bimë të tilla janë: fiku, limeta, selino, majdanozi. Një fenomen i njohur është edhe “dermatiti i margaritas”, i zakonshëm në verë, sepse në përgatitjen e këtij kokteji përdoret limeta. Duhet të lani mirë duart pas kontaktit me këto bimë, sidomos nëse do të ekspozoheni në diell.

Sa ndikojnë ushqimi dhe uji që pimë për të pasur lëkurë të shëndetshme dhe të bukur?
Një dietë e shëndetshme dhe hidratimi i mirë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shëndetin në përgjithësi, e rrjedhimisht edhe për lëkurën, e cila është pasqyra e trupit tonë. Praktikimi i zakoneve të shëndetshme si: mbrojtja e duhur nga dielli, ndalimi i duhanit, aktiviteti fizik i rregullt që ndihmon edhe gjumin e mirë, menaxhimi i stresit, ushqim i balancuar i pasur me antioksidantë, vitamina, minerale dhe acide yndyrore esenciale,kujdes i vazhdueshëm dhe i rregullt për lëkurën, janë thelbësore për një lëkurë të shëndetshme dhe të bukur në çdo moshë.
Foto: Darko Popov