Do të avancohet procedura për Qendrat për viktimat e dhunës seksuale
- Viktimat e dhunës seksuale, por edhe institucionet, fatkeqësisht nuk janë në dijeni të ekzistencës së Qendrave për asistencë dhe mbështetje për viktima të tilla, edhe pse ato Qendra janë krijuar në tre qytete në vitin 2018. Do të përmirësohet procedura për Qendrat e viktimave të dhunës seksuale, u njoftua sot në mbledhjen e Grupit të punës që u formua në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Rrjetin kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje “Zëri kundër dhunës”.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:50, 13 mars, 2025
Shkup, 13 mars 2025 (MIA) - Viktimat e dhunës seksuale, por edhe institucionet, fatkeqësisht nuk janë në dijeni të ekzistencës së Qendrave për asistencë dhe mbështetje për viktima të tilla, edhe pse ato Qendra janë krijuar në tre qytete në vitin 2018. Do të përmirësohet procedura për Qendrat e viktimave të dhunës seksuale, u njoftua sot në mbledhjen e Grupit të punës që u formua në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Rrjetin kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje “Zëri kundër dhunës”.
Qendra të tilla janë themeluar në vitin 2018, ekzistojnë në tri qytete të vendit, në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, dhe janë në kuadër të spitaleve të përgjithshme në të dy qytetet dhe në kuadër të Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup.
Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit kombëtar, në një deklaratë për media tha se dhuna seksuale është një nga format më pak të raportuara të dhunës në vendin tonë. Ajo kujtoi se këto qendra sigurojnë ndihmë fillestare për viktimat të cilat inkurajohen të paraqiten dhe ta raportojnë atë.
"Përvoja që nga krijimi i këtyre Qendrave ka treguar se jo vetëm viktimat, gjegjësisht popullata e përgjithshme, nuk kanë njohuri apo informacion se ekzistojnë këto qendra, por edhe vetë institucionet nuk i përdorin ato në numër të mjaftueshëm. Hulumtimi ynë i publikuar në vitin 2022 tregoi se më pak se një e treta e viktimave i përdorin këto shërbime. Pjesa tjetër e anashkaloni plotësisht këtë shërbim sikur të mos ekzistonte fare. Në bisedë me policinë dhe Prokurorinë publike kemi marrë informacion se ata as që janë në dijeni për ekzistimin e këtyre qendrave", theksoi ajo.
Ajo theksoi se hulumtimi ka treguar se një e treta e numrit të përgjithshëm të viktimave të dhunës seksuale dhe përdhunimit që përfundimisht kanë shfrytëzuar shërbimet e qendrave ishin viktima të mitura. Kishte një numër jashtëzakonisht të vogël të viktimave të rritur që u dërguan atje.
Dimushevska kujtoi se ideja fillestare ishte që qendra të ofrojë mbështetje psikologjike, ndihmë juridike, të mbledhë provat e nevojshme për ndjekjen penale të dhunuesit dhe të ofrojë ndërhyrje fillestare në krizë dhe ndihmë në krizë që i nevojitet viktimës pas përjetimit të kësaj dhune.
Në pyetjen e gazetarëve, ajo u përgjigj se sfida më e madhe në funksionimin e Qendrave dhe mënyra se si është aktualisht procedura standarde e funksionimit, është mosrespektimi i parimeve të qasjes me në qendër viktimën.
Pastaj shpjegoi se si ka funksionuar Qendra deri më tani, që viktima të marrë ndonjë shërbim, rasti duhet të denoncohet në polici.
Në vitet e mëparshme, numri i viktimave të dhunës seksuale sillej nga 50 deri në 60.
Para fillimit të aktivitetit, u njoftua se Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe Shoqata për psikoterapi dhe këshillim “Korteks” së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë po nisin procesin e përmirësimit dhe zbatimit të procedurës standarde operative për veprimin në Qendrat e referimit të viktimave të dhunës seksuale, duke formuar një grup pune përkatës.
"Qëllimi i grupit të punës është të identifikojë mangësitë dhe sfidat në funksionimin e qendrave të referimit për viktimat e dhunës seksuale të ngritura në të tre institucionet shëndetësore publike, ISHP Klinika Universitare për Gjinekologji Obstetrike Shkup, ISHP Spitali Klinik Tetovë dhe Spitali i Përgjithshëm Kumanovë dhe në përputhje me rrethanat të bëhen ndryshime dhe plotësime në procedurën standarde operative", njoftuan organizatorët e ngjarjes. qa/
Foto: MIA