• e hënë, 23 dhjetor 2024

DMSH nënshkroi kontratë me dy pilotët e pensionuar të "Er traktor", pritet përfshirja e tyre në shuarjen e zjarrit në rajonin e Negotinës

DMSH nënshkroi kontratë me dy pilotët e pensionuar të

Shkup, 12 korrik 2024 (MIA) - Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) ka nënshkruar marrëveshje me dy pilotët në pension të “Er traktor” dhe gjatë ditës pritet të përfshihen në shuarjen e zjarrit në rajonin e Negotinës, ka bërë të ditur për MIA-n drejtori i DMSH-së, Bekim Maksuti.

Ai theksoi se dy pilotët tashmë kanë shkuar në aeroport dhe pasi të kenë kaluar procedurat që kërkohen para çdo fluturimi do të drejtohen për në malin Serta në rajonin e Negotinës. 

"Kemi nënshkruar marrëveshje me dy pilotët dhe për një kohë shumë të shkurtër do të përfshihen në shuarjen e zjarreve në rajonin e Negotinës. Pilotët tashmë janë rrugës për në aeroport, duhet të kalojnë disa procedura para se të jenë gati për të fluturuar dhe në një kohë shumë të shkurtër do të përfshihen në shuarje", deklaroi Maksuti për MIA-n. 

Drejtori nuk ka dashur të tregojë se për sa rrogë dy pilotët janë rikthyer. Në një bisedë për MIA -në muajin e kaluar, Maksuti tha se për kthimin e dy pilotëve të trajnuar, DMSH-ja kërkon nga Ministria e Financave pagë prej 300 mijë denarë, sepse puna e pilotit në DMSH-së me pagë prej 72 mijë denarë është joatraktive.

Ai shtoi se kontrata është nënshkruar deri në fund të vitit dhe pas skadimit duhet të vendosë Qeveria, sepse, theksoi ai, "është e nevojshme që pagat të shlyhen në nivel shtetëror".

"Kontrata është nënshkruar deri në fund të këtij viti, do të shohim se çfarë do të vendosë qeveria. Ka ndalesë për konkurse të reja, kështu që sapo të kemi mundësi të rinovojmë konkurset për marrjen e pilotëve të rinj, do ta bëjmë dhe do të shohim nëse ka të interesuar. Para së gjithash, duhet të rregullohet statusi i tyre për sa i përket të ardhurave, është i nevojshëm rregullimi i pagave në nivel shtetëror. Kjo është ende problem, sepse duhet zgjidhur në një nivel më të lartë", tha Maksuti. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR