• e premte, 05 dhjetor 2025

Ditmire Shehu ngriti padi në Gjykatën Administrative kundër KSHZ-së për uljen e numrit të këshilltarëve

Ditmire Shehu ngriti padi në Gjykatën Administrative kundër KSHZ-së për uljen e numrit të këshilltarëve

Shkup, 25 gusht 2025 (MIA) - Anëtarja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Ditmire Shehu për MIA-n konfirmoi se sot ka ngritur padi në Gjykatën Administrative në lidhje me udhëzimin që e votoi KSHZ-ja për numrin e këshilltarëve komunalë.

Kjo padi vjen pasi Qeveria e dërgoi vendimin për numrin e këshilltarëve në KSHZ, edhe pse kjo çështje është rregulluar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Si rezultat i kësaj, në 14 komuna do të zvogëlohet numri i këshilltarëve. 

Shehu fillimisht kërkoi në seancë që udhëzimi të miratohet me konsensus, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që në atë kohë ajo ishte e vetmja që u deklarua kundër këtij vendimi, i cili megjithatë u miratua me pesë vota "pro" dhe një "kundër". Gjykata Administrative duhet t'i përgjigjet Shehut brenda 48 orëve më së voni.

Vendimi i Qeverisë, nga ana tjetër, rezultoi nga Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2021. Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria vendosi të rrisë numrin e këshilltarëve komunalë në Kisella Vodë, Karposh dhe Studeniçan dhe të zvogëlojë numrin e këshilltarëve në 14 komuna, duke përfshirë Gostivarin, Kërçovën, Kratovën, Kriva Palankën, Kumanovën, Pehçevën, Strugën, Vrapçishtin, Debarcën, Zhelinën, Jegunovcën, Novo Sellën, Tearcën dhe Qendër Zhupa.. Komuna e Gostivarit do të pësojë zvogëlimin më të madh, ku nga 31 këshilltarë, numri u ul në 23. Sipas regjistrimit të vitit 2002, Komuna e Gostivarit kishte 80 mijë banorë, por në vitin 2021 numri u ul në 60 mijë banorë si rezultat i ndarjes së popullsisë rezidente dhe jorezidente.

Kundër vendimti të KSHZ-së, ankesë deri te Gjykata Kushtetuese paralajmëruan edhe nga BDI-ja opozitare. Sipas tyre, vendimi është jokushtetues, ndërsa qëllimi është majorizimi etnik dhe përjashtimi i shqiptarëve nga vendimmarrja. Ndërkohë, nga VLEN theksojnë se BDI-ja është arsyeja kryesore për këto, siç thonë, padrejtësi pasi lejoi ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë në regjistrimin e vitit 2021. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR