• e enjte, 04 dhjetor 2025

Dita e dytë e debatit për amendamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2026

Dita e dytë e debatit për amendamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2026

Shkup, 19 nëntor 2025 (MIA) – Në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet sot në ditën e dytë vazhdoi debati për amendamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2026. Janë parashtruar rreth 210 amendamente, ndërsa sot ishin shqyrtuar disa amendamente nga opozita të cilët nuk ishin pranuar. 

Me amendamentet kërkoheshin më shumë mjete për Ministrinë për Çështje Evropiane, për Ministrinë për Marrëdhënie me Bashkësinë, për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për programin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bashkësive. 

Debati u shndërrua në polemikë dhe akuza ndërmjet opozitës dhe shumicës qeveritare për bashkëjetesën ndëretnike pas fjalimit të deputetit Fatmir Bytyqi nga LSDM. 

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski dërgoi kritika për fjalimin e Bytyqit, duke theksuar se fjalimi i tij është nacionalist. 

“Unë jam i vetmi deputet që paraqita amendamente për ndërtimin e shkollës së mesme ‘Sami Frashëri’ në Kumanovë në gjuhën mësimore shqipe. Përmes ndikimit tim në komunë dhe përmes kuadrove që ishin dhe janë në pozicione udhëheqëse nga VMRO-DPMNE, bëmë një projekt, siguruam mjete dhe sot shkolla po ndërtohet. Pas vitit 1983, shkolla e mesme ‘Sami Frashëri’ do të jetë shkolla e parë që do të ndërtohet në Kumanovë. Kështu ndërtohet bashkëjetesa kolegu Fatmir Bytyqi në Kumanovë, jo me fjalime nacionaliste, jo me fjalime nacionaliste, por me veprime të dukshme për të gjithë qytetarët”, tha Petrushevski.

Bytyqi në replikën e Petrushevskit tha se dallimi ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është në mënyrën si e shohin shoqërinë. 

“Unë nuk i shoh gjërat si tuajat dhe tonat. Kam qenë zëvendëskryeministër dhe kam dhënë para edhe për sallë në Kumanovë edhe për shkollë në Tetovë dhe në çdo komunë. Nuk ka shkollë të tillë ose të atillë, nuk ka fëmijë tanë dhe tuaj”, tha Bytyqi. 

Sipas shumicës qeveritare, opozita me kërkesën për shkurtimin e mjeteve nga sporti, e dënon sportin dhe bën keqpërdorim që të fitojë pikë politike. 

Mbledhja vazhdon në orën 15:30 pas pauzës së rregullt njëorëshe. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR