Dita botërore e shëndetit mendor
- Nën moton "Qasja në shërbimet e shëndetit mendor në raste emergjencash dhe krizash", sot në sheshin e qytetit "Maqedonia" do te shënohet Dita botërore e shëndetit mendor.
- Post By Fami Bajrami
- 07:22, 10 tetor, 2025
Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - Nën moton "Qasja në shërbimet e shëndetit mendor në raste emergjencash dhe krizash", sot në sheshin e qytetit "Maqedonia" do te shënohet Dita botërore e shëndetit mendor.
Në këtë aktivitet, të organizuar nga Klinika universitare e psikiatrisë - Shkup do të marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
"Përmes tubimit publik, duam të dërgojmë një mesazh se profesionistët e shëndetit janë këtu - afër, të qasshëm dhe të gatshëm për t'iu përgjigjur nevojave të shëndetit mendor. Vizitorët do të kenë mundësinë të flasin me psikiatër, psikologë dhe profesionistë të tjerë të cilët do të japin informacione, do t'u përgjigjen pyetjeve dhe do të referohen në resurset e disponueshme. Ky aktivitet simbolizon bashkimin, mbështetjen dhe solidaritetin - themelet e procesit të shërimit kolektiv në kohë krize", informon ISHP Klinika universitare e psikiatrisë - Shkup.
Prej atje thonë se kjo Ditë botërore e shëndetit mendor është thirrje për të gjithë - institucione, organizata, shkolla, media dhe qytetarë që të bashkohen.
"Së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri në të cilën shëndeti mendor vlerësohet, mbrohet dhe është i arritshëm për të gjithë. Me kujdes, solidaritet dhe ndërhyrje në kohë, mund të shpëtojmë jetë, të lehtësojmë vuajtjet dhe të ofrojmë hapësira për rimëkëmbje dhe shpresë", thekson organizatori.
Foto: poster