• e hënë, 23 dhjetor 2024

Disa vende të botës të shtunën do të mbajnë marshe për paqe në Gazë

Disa vende të botës të shtunën do të mbajnë marshe për paqe në Gazë

Londër, 10 janar 2024 (MIA)  - Disa vende të Evropës, Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine nënshkruan nismë për mbajtje të ditës globale të aksionit të shtunën e ardhshme, 13 janar, kur në shumë qytete do të mbahen marshe për paqe në Gazë. 

Protestuesit do të ecin në mënyrë paqësore duke kërkuar nga Izraeli që ta ndërpresë ofensivën e përgjakshme në Rripin e Gazës.

Grupet për përfaqësim të aktivistëve dhe organizatave me seli në Mbretërinë e Bashkuar të cilët qëndrojnë pas nismës thonë se marshet, të cilat do të mbahen më 13 janar - ditën e 99-të të ofensivës izraelite në Gazë, kanë për qëllim që t'i mobilizojnë njerëzit që të kërkojnë armëpushim të përhershëm dhe ndërprerje të sulmeve izraelite në zonën e përfshirë me konflikte. 

Janë planifikuar marshe në dhjetëra qytete të Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës, Danimarkës, Afrikës së Jugut, Nigerisë, Ganës, Japonisë, Indonezisë, Koresë së Jugut, Australisë, Brazilit, Jordanisë, Turqisë...

Forumi palestinez në Britani, një nga grupet e shumta britanike të cilët e organizuan fushatën, tha se numri i rritur i qyteteve të cilët përfshihen në aksionin global "e reflekton përkushtimin e përbashkët për dhënien fund të dhunës në Gazë".

"Ne jemi të bashkuar në fushatën #GazaGlobalAction, duam të dërgojmë porosi të qartë se bota kërkon ndryshime, drejtësi dhe të ardhme pa dhunë", thuhet në forum. 

Situata në Gazë kërkon aksion urgjent ndërkombëtar, ndihmë humanitare dhe përpjekje të përbashkëta për arritje të zgjidhjes së drejtë dhe të përhershme në konflikt, thonë organizatorët. 

Protestat kundër luftës do të mbahen një ditë para ditës së 100-të të sulmeve izraelite mbi Gazë, në të cilat të paktën katër për qind e popullatës në Gazë janë vrarë, zhdukur ose plagosur. 

Disa nga organizatat nismëtare të këtyre tubimeve më parë organizuan protesta kundër luftës në Irak më 15 shkurt të vitit 2003. Protesta kundër luftës u mbajtën në më shumë se 600 qytete, ndërsa u grumbulluan miliona pjesëmarrës. 

Në thirrjen e tij për aksionin global - protesta kundër luftës, organizatorët paralajmërojnë se "në sulmet izraelite mbi Gazë janë shkelur të gjitha konventat dhe të drejtat ndërkombëtare". fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR