• e diel, 22 dhjetor 2024

Disa anëtarë të BE-së janë gati të blejnë municion për Ukrainën jashtë Evropës

Disa anëtarë të BE-së janë gati të blejnë municion për Ukrainën jashtë Evropës

Paris, 27 shkurt 2024 (MIA) - Disa vende evropiane, përfshirë Francën, mbështesin idenë që Bashkimi Evropian të blejë municione të prodhuara jashtë Evropës për të vazhduar mbështetjen e përpjekjeve të luftës së Kievit, thanë dje pjesëmarrësit në një konferencë për mbështetjen e Ukrainës në Paris.

"Ky propozim, i iniciuar nga Republika Çeke, "gëzon mbështetje të madhe nga disa vende. Ky është një mesazh shumë i fortë për Rusinë, tha kryeministri çek Petar Fiala pas konferencës, ku më shumë se 25 vende aleate të Kievit u mblodhën në Pallatin e Eliseut.

Sipas liderit çek, rreth 15 vende janë gati t'i bashkohen kësaj nisme, e cila synon t'i përgjigjet mungesës së municioneve, veçanërisht predhave të artilerisë, për Ukrainën.

Presidenti francez Emanuel Makron beson se propozimi çek është "në përputhje" me politikën aktuale të BE-së dhe ka njoftuar se Parisi do t'i bashkohet.

"Kemi kërkuar nga vendet jashtë BE-së që të propozojnë zgjidhje dhe për këtë do të marrim pjesë në këtë iniciativë", tha presidenti francez në një konferencë për shtyp, duke shtuar se "qëllimi i vetëm është efikasiteti".

Kryeministri holandez Mark Rute tha se vendi i tij do të sigurojë "mbi 100 milionë euro" për planin çek dhe se "vendet e tjera do ta ndjekin".

Rute nuk pranoi të specifikojë se nga cilat vende jashtë Evropës mund të kërkohet të prodhojnë municion. "Është sekret", tha ai.

Disa vende, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë, kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe sigurie me Kievin në javët e fundit, por BE-ja, e cila ka dhënë 28 miliardë euro ndihmë ushtarake që nga fillimi i luftës, po përpiqet të përmbushë angazhimet e saj, veçanërisht në raport me raketat.

Kryeministri portugez Antonio Kosta, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencën në Paris, siguroi se ministrat e mbrojtjes të BE-së do të paraqesin "në 10 ditët e ardhshme një plan konkret për të forcuar kapacitetin për të porositur municione për të mbështetur përpjekjet ushtarake të popullit ukrainas". sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR