• e diel, 22 dhjetor 2024

Diplomati i karrierës Zheljazko Radukov propozohet për ambasador të ri të Bullgarisë në Shkup

Diplomati i karrierës Zheljazko Radukov propozohet për ambasador të ri të Bullgarisë në Shkup

Shkup, 10 shkurt 2024 (MIA) – Diplomati i karrierës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Zheljazko Radukov është propozuar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Marija Gabriel për ambasadore të re të Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut.

Radukov, siç transmeton agjencia BGNES vjen në vendin e ambasadorit aktual në Shkup, Angel Angelov mandati i të cilit përfundon në qershor të këtij viti.

Ai është një diplomat karriere me përvojë në më shumë fusha të marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Karrierën e tij profesionale e ka filluar në drejtorinë e MPJ-së bullgare për Evropën Juglindore ku në periudha të ndryshme ka qenë përgjegjës për Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi dhe ka punuar në një sërë çështjesh të marrëdhënieve bilaterale me këto vende, duke përfshirë dimensionin e tyre evropian.

Në Shkup, Radukov ka qenë sekretar i tretë në ambasadën bullgare në periudhën 2010-2013, pastaj sekretar i parë në ambasadën e Bullgarisë në Beograd. Nga viti 2021, Radukov është përgjegjës në MPJ-në bullgare për Maqedoninë e Veriut dhe për marrëdhëniet bilaterale, por edhe për kontekstin evropian.

Radukov, siç thuhet në shpjegimin e propozimit, ka pasur rol kyç në krijimin dhe zbatimin e kompromisit evropian të vitit 2022, përfshirë negociatat bilaterale për Protokollin e takimit të dytë të Komisionit ndërqeveritar, të nënshkruar në qershor 2022. Radukov është gjithashtu sekretar organizativ i Komisionit të përbashkët historik dhe punon aktivisht për mbrojtjen e të drejtave dhe trashëgimisë kulturore-historike të komunitetit bullgar.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR