Dimitrovski: Ambicia e BE-së për të forcuar pozicionin e saj gjeopolitik fillon këtu në Ballkanin Perëndimor
- Politikat e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor janë test për ambicien e saj globale për t'u bërë lojtar global më efektiv, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, në fjalimin e tij në konferencën shkencore dhe të ekspertëve me temë: "Drejt një zone të sigurt euroatlantike në një botë të globalizuar: Lidhja midis sigurisë dhe shtetit të së drejtës" organizuar nga Universiteti "Shën Klimenti i Ohrit" - Manastir dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës.
- Post By Fami Bajrami
- 14:36, 2 qershor, 2025
Shkup, 2 qershor 2025 (MIA) - Politikat e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor janë test për ambicien e saj globale për t'u bërë lojtar global më efektiv, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, në fjalimin e tij në konferencën shkencore dhe të ekspertëve me temë: "Drejt një zone të sigurt euroatlantike në një botë të globalizuar: Lidhja midis sigurisë dhe shtetit të së drejtës" organizuar nga Universiteti "Shën Klimenti i Ohrit" - Manastir dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës.
"Kontinenti evropian, shtëpia jonë e përbashkët, po përballet me sfida të papara deri më tani - lufta në Ukrainë e përkeqësuar me tensione dhe pasiguri më të gjerë gjeopolitike, ka treguar dobësitë e thella të arkitekturës evropiane të sigurisë. Kjo krijon një presion të jashtëzakonshëm mbi të gjithë bashkësinë euroatlantike për t'u përgjigjur në një mënyrë koherente dhe parimore. Në këtë kontekst në ndryshim Evropa përballet me zgjedhje kritike në lidhje me rolin e saj të ardhshëm. Ambicia e BE-së për të forcuar pozicionin e saj gjeopolitik dhe gjeoekonomik dhe për t'u bërë lojtar global më efektiv është në kohën e duhur dhe e nevojshme. Kemi nevojë për një BE të fuqishme dhe të bashkuar që qëndron e vendosur në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Por, besojmë fuqimisht se këto aspirata fillojnë këtu, në Ballkanin Perëndimor, një rajon që shikon drejt BE-së me shpresë dhe vendosmëri për t'u bashkuar me të. Ky është një rajon që tashmë është thellësisht i integruar në fusha të tilla si tregtia, investimet, lidhja energjetike dhe politika e jashtme dhe e sigurisë. Për këtë arsye politikat e BE-së ndaj këtij rajoni janë provë për ambicien e saj globale. Që BE-ja të veprojë me vendosmëri këtu, nuk është vetëm një imperativ strategjik, por edhe gjeopolitik", tha Dimitrovski.
Petra Dreksler, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, theksoi rëndësinë e partneritetit transatlantik në kontekstin e sfidave të sigurisë, por edhe gatishmërinë e BE-së për të rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe siguri, me qëllim mbrojtjen e paqes dhe sigurisë së kontinentit si përparësi e lartë.
Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, potencoi rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe rolin e eurointegrimeve në ruajtjen e demokracive tona.
Në forumin kushtuar sfidave aktuale të sigurisë me të cila përballet rajoni euroatlantik mbajtën fjalim dhe rektorët e Universitetit "Shën Klimenti i Ohrit"” në Manastir dhe Universitetit të Tetovës, Igor Nedelkovski dhe Jusuf Zejneli.
Qëllimi i konferencës dyditore është të nxisë dialog konstruktiv midis përfaqësuesve të bashkësisë akademike, institucioneve, ekspertëve dhe shoqërisë civile mbi marrëdhënien komplekse midis sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke shqyrtuar se si këto dy shtylla mund të përforcojnë reciprokisht njëra-tjetrën në ndjekjen e një zone euroatlantike të qëndrueshme dhe elastike. rq/
Foto: MIA