• e premte, 05 dhjetor 2025

Dimitrieska-Koçoska takohet me përfaqësues të Thesarit të SHBA-së: Thellimi i bashkëpunimit për transparencë dhe efikasitet më të madh në menaxhimin e fondeve publike

Dimitrieska-Koçoska takohet me përfaqësues të Thesarit të SHBA-së: Thellimi i bashkëpunimit për transparencë dhe efikasitet më të madh në menaxhimin e fondeve publike

Shkup, 15 tetor 2025 (MIA) - Në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në Uashington u takua me përfaqësues të Departamentit të Thesarit të SHBA-së (U.S. Department of the Treasury), Zyra për Ndihmë Teknike (Office of Technical Assistance – OTA).

Takimi iu kushtua shqyrtimit të bashkëpunimit aktual dhe përcaktimit të prioriteteve të ardhshme në fushën e financave publike, buxhetit, taksave, borxhit publik dhe sistemit financiar.

Në takim u theksua se bashkëpunimi me Thesarin e SHBA-së është një element kyç në procesin e modernizimit të sistemit të menaxhimit të financave publike në vend.

"Përmes projekteve të zbatuara në periudhën e kaluar, është siguruar mbështetje nga ekspertët në disa segmente - nga përmirësimi i planifikimit buxhetor dhe vendosja e buxhetimit programor, llogaridhënia fiskale dhe transparenca më e mirë në përdorimin e fondeve publike. Në fushën e politikës tatimore dhe doganore, bisedimet u përqendruan në vazhdimin e mbështetjes teknike për modernizimin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Administratës Doganore", informojnë nga Ministria e Financave.

Theksi u vu në përmirësimin e menaxhimit me rreziqet, futjen e sistemeve të avancuara të analizës dhe kontrollit, si dhe rritjen e nivelit të integritetit dhe luftën kundër korrupsionit. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e menaxhimit të borxhit publik, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut vendas të kapitalit dhe zgjerimin e bazës së investitorëve.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska theksoi se partneriteti strategjik me Thesarin e SHBA-së përfaqëson një nxitje të rëndësishme për përmirësimin e financave publike dhe kapaciteteve institucionale në vend.

"Mbështetja teknike që marrim nga Thesari i SHBA-së është thelbësore për përpjekjet tona për të ndërtuar një sistem modern, transparent dhe të qëndrueshëm të financave publike. Ky bashkëpunim na lejon të prezantojmë standarde të larta në politikën fiskale, të rrisim efikasitetin në planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit dhe të forcojmë besimin e qytetarëve dhe investitorëve në institucionet publike", theksoi ministrja.

Ajo theksoi se Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave në sistemin financiar publik, në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim krijimin e një kuadri fiskal të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm që do të sigurojë parashikueshmëri afatgjatë dhe rritje ekonomike. sa/

Foto: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR