• e premte, 05 dhjetor 2025

Dhurohen shujta të gatshme për 110 persona të pastrehë në Punktin e të pastrehëve të Kryqit të Kuq në Momin Potok

Dhurohen shujta të gatshme për 110 persona të pastrehë në Punktin e të pastrehëve të Kryqit të Kuq në Momin Potok

Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - TAV Maqedoni, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit, sot, në Ditën Botërore të të Pastrehëve, përgatiti dhe dhuroi shujta të gatshme për 110 persona të pastrehë në Punktin për të pastrehë në Momin Potok në Qytetin e Shkupit.

Si pjesë e strategjisë së saj për përgjegjësi shoqërore korporative, operatori i aeroportit, filialja e TAV Aeroporte dhe anëtare e grupacionit ADP, vitin e dytë me radhë e organizon këtë aktivitet humanitar "TAV Gatuan".

"Besojmë se shoqëria përparon kur kompanitë, institucionet dhe qytetarët veprojnë së bashku për qëllime humane. Bashkëpunimi me organizatat siç është Kryqi i Kuq na mundësojnë së bashku të krijojmë një vlerë shoqërore të vërtetë dhe prandaj do të dëshiroja edhe njëherë t'i falënderoj njerëzit e Kryqit të Kuq në Qytetin e Shkupit dhe njerëzit e Punktit për të Pastrehë në Momin Potok. Dëshiroj të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen dhe së bashku të kontribuojmë për një të nesërme më të mirë për ata që kanë më së shumti nevojë", deklaroi Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkup thekson se qasja në një shujtë të ngrohtë dhe të freskët është nevoja bazë e njeriut, por, siç thotë, për fat të keq, një pjesë e bashkëqytetarëve tanë çdo ditë përballen me këtë sfidë.

Siç informojnë nga TAV Maqedoni, në kuadër të aktivitetit të njejtë përgjegjës shoqëror "TAV Gatuan", TAV Maqedoni dhe kompania e saj motër BTA, përgjegjëse për ushqim dhe pije në aeroportin e Shkupit, së bashku me Kryqin e Kuq, do të organizojnë edhe një donacion të shujtës së gatshme për të pastrehët deri në fund të këtij viti. sa/

foto: TAV Maqedoni

QËNDRONI TË LIDHUR