• e hënë, 23 dhjetor 2024

“Dhjetë ditët Republika e Krushevës” dhe “Ditët e kongresit të Smilevës”- institucione të reja nacionale

“Dhjetë ditët Republika e Krushevës” dhe “Ditët e kongresit të Smilevës”- institucione të reja nacionale

Shkup, 1 gusht 2023 (MIA) - Në prag të festës së madhe shtetërore - Ilindenit, kur vendi feston Kryengritjen e Ilindenit dhe Mbledhjen e parë të KAÇKM-së me çka u konstituua shteti maqedonas, Qeveria sot solli vendim për formimin e dy institucioneve kombëtare në sferën e kulturës të cilat afirmojnë personalitetet dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me periudhën e Ilindenit dhe shtetësinë maqedonase, informuan sot nga Ministria e Kulturës.

"Aktivitetet tradicionale me çka festohet liria, fitorja, lufta dhe etja e popullit maqedonas dhe të gjithë popujve të tjerë që jetojnë në vend në një shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik, 'Dhjetë ditët Republika e Krushevës' dhe 'Ditët e kongresit të Smilevës' do të funksionojnë gjatë gjithë vitit si institucione kombëtare", thuhet në kumtesë.

Iniciativat për themelimin e institucionit “Dhjetë ditët Republika e Krushevës”, siç thuhet në kumtesë, ka për qëllim nxitjen e krijimtarisë së bashkëkohësve, frymëzuar nga Ilindeni dhe lufta e popullit maqedonas për çlirim kombëtar dhe afirmimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Institucioni nacional Qendra për kulturë “Dhjetë ditët Republika e Krushevës” – Krushevë do të vendoset në objektin e Institucionit kombëtar Muzeu historik – Krushevë që është në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

"Iniciativat janë dorëzuar nga Ministria e Kulturës ku është paraparë Institucion kombëtar, manifestimi 'Ditët e Kongresit të Smilevës' - Smilevë, Demir Hisar për të shënuar ditët e Kongresit të Smilevës si një ngjarje historike me rëndësi për popullin maqedonas dhe kujtimet për Dame Gruevin. Ndërsa do të vendoset në një objekt në fshatin Smilevë që është në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht në ish shtëpinë e revolucionarit Dame Gruev", theksohet në kumtesë.

Institucionet e reja nacionale, sipas ekzistimit dhe përmbajtjeve programore, siç shtohet, vazhdojnë të veprojnë në frymën e afirmimit të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishëm për periudhën e Ilindenit dhe shtetësinë maqedonase.

"Kongresi i Smilevës u mbajt nga 2 deri më 7 maj 1903 në fshatin Smilevë të Demir Hisarit. Ky Kongres, sipas vendimeve të miratuara, paraqet një nga etapat e rëndësishme në përgatitjet e Kryengritjes së Ilindenit. Me këtë Kongresi i Smilevës është një aktivitet i thellë në vetëdijen e popullit maqedonas e cila ka përcaktuar në mënyrë të përhershme të ardhmen e saj. Ndërsa, kujtimet për personalitetin dhe veprën e Dame Gruevit, si dhe figurave dhe ngjarjeve të tjera historike, janë kujtesë e vazhdueshme e vendosjes së themeleve të shtetësisë maqedonase", nënvizojnë nga Ministria e Kulturës.

Foto: Printksrin/Ueb faqja e Ministrisë së Kulturës

QËNDRONI TË LIDHUR