• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Deputetja Mimoza Musa në Konferencën e 73-të të KOSAK-ut në Varshavë

Deputetja Mimoza Musa në Konferencën e 73-të të KOSAK-ut në Varshavë

Shkup, 10 qershor 2025 (MIA) - Deputetja Mimoza Musa, anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane, po merr pjesë në Konferencën e 73-të të Komisioneve për Çështje Evropiane të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian (KOSAK), e cila po mbahet nga 8 deri më sot në Varshavë, Republika e Polonisë. 

Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, konferenca po mbahet në Sejmin e Republikës së Polonisë dhe në të marrin pjesë përfaqësuesit e Parlamenteve të Vendeve Anëtare dhe kandidatëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian. 

Temat e trajtuara në Konferencë janë: prioritetet e Kryesimit Polak me Këshillin e BE-së, programet e punës së Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian në ciklin e ri institucional, korniza financiare shumëvjeçare e ardhshme e BE-së, politika e zgjerimit dhe forcimi i rezistencës kibernetike dhe lufta kundër dezinformatave. 

 

Ngjarja u hap zyrtarisht nga marshalli i Sejmit të Republikës së Polonisë, Shimon Holovnia, ndërsa Konferenca po mbahet nën bashkëkryesimin e Agnjeshka Pomaska, kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane të Sejmit të Republikës së Polonisë, dhe Tomash Grodxki, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Senatit të Republikës së Polonisë. Në fjalimet e tyre të hapjes, e theksuan rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar dhe unitetit të institucioneve evropiane në adresimin e sfidave të përbashkëta. Ata bënë thirrje për përfshirje më të thellë të parlamenteve kombëtare në procesin e miratimit të politikave të BE-së dhe nënvizuan se zgjerimi mbetet instrumenti vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë kontinentin.

Deputetja Mimoza Musa mbajti fjalimin e saj në sesionin e dytë të Konferencës. Në sesionin e dytë, i cili debatoi programet e punës së institucioneve evropiane dhe Agjendën Strategjike të BE-së, Musa theksoi se prioritetet e Komisionit dhe Parlamentit janë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendet kandidate. Ajo nënvizoi se Maqedonia e Veriut po punon në mënyrë aktive në tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit, dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të politikës së zgjerimit bazuar në meritë.

Si pjesë e pjesëmarrjes së saj, deputetja u takua me një numër të madh kolegësh dhe me ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Polonisë, Jasmin Qahil. 

 KOSAK-u është forumi për bashkëpunim midis komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve kombëtare dhe Parlamentit Evropian, i cili mundëson shkëmbim të rregullt informacionesh, qëndrimesh dhe praktikash të mira në lidhje me legjislacionin dhe politikat evropiane. Forumi ekziston që nga viti 1989 dhe luan rol të rëndësishëm në përfshirjen e parlamenteve kombëtare në proceset e vendimmarrjes në nivel të BE-së.

 Foto: Kuvendi

 

QËNDRONI TË LIDHUR