• e premte, 05 dhjetor 2025

Deputetja Mimoza Musa braktis ASH-në e Taravarit

Deputetja Mimoza Musa braktis ASH-në e Taravarit

Shkup, 23 maj 2025 (MIA)- Deputetja e ASH-së, Mimoza Musa përmes një postimi në Fejsbuk ka bërë të ditur se braktisë Arben Taravarin dhe do të funksionojë si pjesë e koalicionit VLEN. Deputetja Musa thotë se “ndryshimi ka nisur dhe këtë do ta çojnë përpara”.

"Një vit më parë, më 8 maj, mora besimin e mbi 107 mijë shqiptarëve si deputete e Aleancës për Shqiptarët në listën e koalicionit VLEN. Ky mandat nuk është thjesht një numër, është zëri i një populli të lodhur nga mbi 20 vite pushtet i BDI-së dhe që kërkon me ngulm ndryshim. Po kalojmë një periudhë të vështirë politike dhe me të drejtë shumë përkrahës, miq e bashkëpunëtorë pyesin: Me kë është deputetja Mimoza Musa?", ka shkruar ajo.

Ka shtuar se nuk do ta tradhtoj besimin e dhënë nga votuesit.

"Unë jam deputete e Aleancës për Shqiptarët. Besimin që ma dhatë nuk do ta tradhtoj. Nuk jam këtu për interesa personale, por për t’i shërbyer me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që besoi në këtë mision. Ndryshimi ka nisur dhe ne do të vazhdojmë tutje", thekson Musa.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai dhe deputeti Salim Sulejmani poashtu informuan se largohen nga Arben Taravari.

Taravari u largua nga qeveria pas mosmarrëveshjeve brenda koalicionit "VLEN". Kryesia e Aleancës për Shqiptarët ka vendosur që në zgjedhjet lokale të kandidojë me lista të pavarura për këshilltarë. Partnerët nga koalicioni "VLEN" e akuzuan Taravarin se po bashkëpunon me BDI-në opozitare.

Foto: Fejsbuku i Mimoza Musës

QËNDRONI TË LIDHUR