Deputeti Mile Talevski u zgjodh anëtar i Sekretariatit Ndërkombëtar të Asamblesë Ndërparlamentare të Ortodoksisë
- Shefi i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Ndërparlamentare të Ortodoksisë (ANP e Ortodoksisë), deputeti Mile Talevski, u zgjodh anëtar i Sekretariatit Ndërkombëtar të ANP-së së Ortodoksisë në Asamblenë e 32-të të Përgjithshme të ANP-së së Ortodoksisë, e cila do të mbahet në Bukuresht, Rumani, nga 3 deri më 5 qershor 2025, bëri të ditur sot pres shërbimi i Kuvendit.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 11:41, 5 qershor, 2025
Shkup, 5 qershor 2025 (MIA) - Shefi i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Ndërparlamentare të Ortodoksisë (ANP e Ortodoksisë), deputeti Mile Talevski, u zgjodh anëtar i Sekretariatit Ndërkombëtar të ANP-së së Ortodoksisë në Asamblenë e 32-të të Përgjithshme të ANP-së së Ortodoksisë, e cila do të mbahet në Bukuresht, Rumani, nga 3 deri më 5 qershor 2025, bëri të ditur sot pres shërbimi i Kuvendit.
Sekretariati Ndërkombëtar përbëhet nga gjashtë anëtarë, ka mandat dyvjeçar dhe punon për realizimin dhe zbatimin e vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme të ANP-së së Ortodoksisë. Përveç Talevskit, përfaqësues të këtij organi përfshijnë edhe deputetë nga Qiproja, Egjipti, Estonia, Gjeorgjia dhe Serbia.

Delegatët e Asamblesë së 32-të të Përgjithshme të ANP-së së Ortodoksisë diskutuan temën "Bashkëpunimi i institucioneve parlamentare dhe fetare në modelimin e udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale, në kontekstin e Deklaratës së UNP-së së Marrakeshit".
Në takim, fjalim të përshëndetjes kishte kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të ANP-së së Ortodoksisë, Joan Volpesku, deputet rumun, i cili theksoi se përballë sfidave me të cilat përballemi sot, është shumë e rëndësishme të jemi të bashkuar, të përballemi me sfidat dhe të jemi mbrojtës të demokracisë.
Sekretari i Përgjithshëm i ANP-së së Ortodoksisë, Maksimos Karakopulos, i dënoi ngjarjet në Rripin e Gazës, si dhe agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke theksuar se të gjitha llojet e agresionit që shkelin të drejtat themelore të njeriut duhet të marrin fund. Ai shtoi se ANP-ja e Ortodoksisë mbështet të gjitha nismat që çojnë në bashkëpunim dhe mirëkuptim midis kombeve.
Punimet e Asamblesë së 32-të të Përgjithshme të ANP-së së Ortodoksisë u hapën nga kryetari i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, Kiprian Serban, i cili theksoi se dialogu ndërfetar i bashkon njerëzit aty ku dështon faktori politik.
Nënkryetari i Senatit të Rumanisë, Robert Kazanciuq, mbajti fjalim të përshëndetjes, duke trajtuar sfidat e paraqitura nga inteligjenca artificiale dhe nevojën për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale me norma ligjore në mënyrë që të mbrohen të drejtat themelore të njeriut.
Ministri i Ekonomisë, Digjitalizimit, Sipërmarrjes dhe Turizmit të Rumanisë, Bogdan Ivan, theksoi se shumë shpesh njerëzit kanë frikë nga inteligjenca artificiale dhe teknologjia e re, gjë që është e kuptueshme sepse çdo gjë që nuk e kuptojmë plotësisht na tremb. Megjithatë, shtoi ai, progresi dhe përfitimet e teknologjisë së re janë të mëdha, dhe detyrimi ynë mbetet të sigurohemi që t'i përdorim mjetet digjitale me mençuri dhe në interes të zhvillimit.
Gjatë diskutimit, delegatët ishin unanimë në pikëpamjen e tyre se jetojmë në kohën kur teknologjia, qeverisja dhe etika duhet të jenë të ndërthurura. Etika nuk duhet të jetë pengesë për progresin teknologjik, por garanci për zbatimin e tij të duhur. Takimi theksoi nevojën për dialog midis udhëheqësve politikë dhe fetarë kur bëhet fjalë për përdorimin e inteligjencës artificiale.

Gjatë diskutimit, delegatët trajtuan edhe agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe ngjarjet në Rripin e Gazës, dhe shprehën shqetësim për kërcënimin ndaj të drejtave themelore të njeriut.
(Asambleja Ndërparlamentare e Ortodoksisë (ANPO) është organizatë politike ndërkombëtare, trup ndërparlamentar, i themeluar me iniciativën e Parlamentit të Republikës së Greqisë në vitin 1993, me seli në Parlamentin Helenik në Athinë, i cili ka 25 vende anëtare dhe bashkëpunon me UNP-në, AP-në e Mesdheut, PABSEK-un, Unionin Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Parlamentin Pan-Afrikan.
Në kontekstin e realitetit të ri historik dhe politik dhe ndryshimeve që ndodhën në fillim të viteve të '90-ta me rënien e komunizmit në Evropën Juglindore dhe Traktatin e Mastrihtit, pjesëmarrësit e Konferencës themeluese “ranë dakord se nevojitet prani dhe ndikim më i madh i Ortodoksisë si shprehje e përbashkët fetare dhe kulturore e një numri të madh qytetarësh evropianë, gjë që do të kontribuojë në formësimin e Evropës bashkëkohore, post-komuniste”.
Qëllimi i organizatës është të zhvillojë aktivitet të shumanshëm politik dhe kulturor që synon nxitjen e kontakteve dhe zgjerimin e marrëdhënieve të besimit, kuptimin e fenomeneve politike bashkëkohore dhe trendeve shoqërore, si dhe nxjerrjen në pah të elementëve të Ortodoksisë si ndikim pozitiv në mirëkuptimin e ndërsjellë midis kulturave. Dy shtyllat mbi të cilat bazohet ANPO-ja janë: nga njëra anë, mbrojtja e parlamentarizmit të pavarur dhe nga ana tjetër, përhapja dhe konsolidimi i parimeve dhe vlerave të traditës së krishterë ortodokse. Në thelb, çdo aktivitet i ANPO-së është i përqendruar tek ata që vuajnë.)
Foto: Kuvendi i RMV-së