• e hënë, 23 dhjetor 2024

Deputetët e Frontit Evropian lëshojnë seancën e 12-të të Kuvendit

Deputetët e Frontit Evropian lëshojnë seancën e 12-të të Kuvendit

Shkup, 12 gusht 2024 (MIA) - Deputetët e Frontit Evropian kanë lëshuar seancën e 12-të të Kuvendit ku duhet të debatohet për ribalancin e Buxhetit. Ata janë të pakënaqur me heqjen e Propozim- ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në leximin e parë të rendit të ditës.

Siç ka theksuar Blerim Bexheti nga Fronti Evropian, derisa komisioni amë të vendosë për ligjin, “ata do ta lëshojnë seancën në shenjë proteste”.

Paraprakisht, Bexheti nga Fronti Evropian në fjalimin procedural theksoi se nuk mundet që ligj i propozuar nga një deputet të tërhiqet nga një deputet tjetër. Opozita do të propozojë ligj dhe nesër shumica do ta tërheq...", tha Bexheti.

Më pas, deputeti Talat Xhaferi pyeti se sipas cilës rregullore funksionon Kuvendi dhe shtoi se një gjë të tillë nuk ka në Rregulloren e miratuar nga Kuvendi i kaluar para përfundimit të mandatit. Akuzoi për shkelje flagrante të procedurës dhe për majorizim të punës së Kuvendit. Ai tha se asnjëherë nuk ka pasur heqje të pikës nga rendi i ditës iniciuar nga opozita në procedurë të rregullt me ​​kërkesë të një deputeti të shumicës qeveritare.

“Nuk guxoni ta ndërprisni procedurën kur ajo ka filluar”, tha Xhaferi.

Ilire Dauti nga Fronti Evropian, nga ana tjetër, akuzoi për vendosjen e diktaturës politike në vend dhe heqjen e së drejtës për rishikim të ligjit të paraqitur në procedurë të rregullt. Siç tha ajo, askush nuk mund t'ia heqë të drejtën për të iniciuar zgjidhje ligjore dhe për të majorizuar të drejtën e saj dhe kështu t'i shkurtojë të drejtën.

"Shkelet e drejta ime për të propozuar ligj në procedurë të rregullt dhe i lejohet një deputeti tjetër të ma marrë atë të drejtë. Ky ligj kaloi në Komisionin për financim dhe buxhet dhe sot është hequr nga rendi i ditës pa shkuar sërish në komision. Ju nuk doni të flisni për lojërat e fatit, ndaj e hiqni nga rendi i ditës. Interpretimi autentik nuk ka lidhje me ligjin që po na e hiqni", ka thënë Dauti dhe shtoi se në këtë mënyrë i hiqet e drejta deputetit që të propozojë ligj në procedurë të rregullt.

Halil Snopçe nga VLEN-i tha se Fronti Evropian po bën teatër për ligjin e lojërave të fatit dhe shtoi se opinioni nuk mund të mashtrohet në këtë mënyrë.

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR