• e shtunë, 23 nëntor 2024

Deputetët austriakë u takuan me Klubin e deputeteve në Kuvend

Deputetët austriakë u takuan me Klubin e deputeteve në Kuvend

Shkup, 11 maj 2023 (MIA) - Një delegacion i Grupit Parlamentar të Parlamentit të Republikës së Austrisë për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që po qëndron për vizitë dyditore në Shkup, sot realizoi takim me Klubin e deputeteve.

“Nga ajo që dëgjova dhe pashë, mund të konkludoj se ne mund të mësojmë nga ju për sa i përket përfaqësimit të grave në politikë dhe betejës për barazi gjinore”, tha deputetja austriake Shtefani Krisper, shefe e Delegacionit, përpara deputeteve të vendit, të cilat theksuan disa projekte të iniciuara nga Klubi i Deputeteve që u miratuan me konsensus në Dhomën Ligjvënëse.

Kryetarja e Klubit të Deputeteve, Lolita Ristova, theksoi se Klubi këtë vit ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, që ka qenë arsyeja e mbajtjes së seancës së parë plenare në Kuvendin e RMV-së kushtuar barazisë gjinore më 8 mars të këtij viti. Ajo tha se synimi është që kjo të bëhet traditë në vitet e ardhshme.

Ristova theksoi se në vitet e kaluara janë bërë hapa të mëdhenj në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore dhe se në Kuvend, me konsensus, në këtë drejtim janë miratuar disa ligje të rëndësishme të iniciuara nga Klubi i Deputeteve. Theksoi se është planifikuar të mbahet konferenca rajonale kushtuar këtyre temave në mesin e deputeteve të vendeve të Evropës Juglindore.

Ristova vuri në dukje edhe sfidat me të cilat ballafaqohet Klubi i Deputeteve, si miratimi i ligjit për barazi gjinore, rritja e numrit të grave në pushtetin lokal, gjuha e urrejtjes... Ajo shpreson se edhe këto sfida do të tejkalohen me sukses si rezultat i bashkëpunimit që kanë pasur deri tani deputetet e të gjitha grupeve në Kuvend.

Deputetja Zhaklina Peshevska theksoi se Klubi i Deputeteve, si trup joformal, si dhe Komisioni për Mundësi të Barabarta Ndërmjet Meshkujve dhe Femrave, janë forume jashtëzakonisht të rëndësishme në Kuvend, të cilat në vitet e kaluara kanë arritur të dalin mbi polarizimin politik.

Peshevska theksoi se tani më shumë se 40 për qind e anëtarëve në Kuvend janë gra, që është përparim i madh, por siç tha ajo, barazia gjinore duhet të jetë diçka e natyrshme, në mënyrë që të tejkalohet nevoja për kuota.

Deputetja Maja Moraçanin theksoi se duhet të stimulohen mekanizmat për të mbështetur dhe forcuar forumet apo klubet e grave në partitë, prej nga vijnë edhe kuadrot për funksionet më të larta shtetërore. bsh/

Foto: Kuvend

QËNDRONI TË LIDHUR