Delegacioni i Kuvendit në Sesionin e 50-të të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë në Paris
- Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë nga 9 deri më 13 korrik mori pjesë në Sesionin e 50-të të kësaj asambleje, që u mbajt në Paris, në Republikën e Francës. Delegacioni ishte i përbërë nga: Beti Stamenkoska Trajkoska, shefe e Delegacionit dhe anëtarët Musa Xhaferi, Dragana Bojkovska dhe Saranda Imeri Stafai.
- Post By Sara Ademi
- 12:19, 14 korrik, 2025
Shkup, 14 korrik 2025 (MIA) - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë nga 9 deri më 13 korrik mori pjesë në Sesionin e 50-të të kësaj asambleje, që u mbajt në Paris, në Republikën e Francës. Delegacioni ishte i përbërë nga: Beti Stamenkoska Trajkoska, shefe e Delegacionit dhe anëtarët Musa Xhaferi, Dragana Bojkovska dhe Saranda Imeri Stafai.
Në këtë ngjarje, siç citohet në kumtesë, morën pjesë delegacionet nga parlamentet e vendeve anëtare, anëtarët e asociuar dhe vëzhguesit e Frankofonisë, si dhe kryetarët e parlamenteve frankofone nga këto vende. Sesionit i paraprinë takimet e Rrjeteve të Grave Parlamentare, Parlamentarëve të Rinj dhe komisioneve parlamentare. Si pjesë e debatit mbi legjislacionin në favor të grave, Stamenkoska Trajkoska, në fjalimin e saj, informoi për progresin në këtë fushë në vendin tonë, duke përmendur Ligjin për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve, futjen e kuotave në listat zgjedhore dhe harmonizimin e legjislacionit me Konventën e Stambollit, duke theksuar se barazia gjinore mbetet sfidë e madhe që kërkon veprime konkrete, financim përkatës dhe ndryshim të thellë kulturor në shoqëri.
Bojkovska mori pjesë në debatin mbi ndikimin e ekraneve dhe rrjeteve sociale në zhvillimin e të rinjve, duke theksuar se vendi ynë ka Strategji për Shëndetin Mendor dhe se Klubi i Deputetëve të Rinj po punon edhe për këtë çështje. Bëri thirrje për edukim më të madh, duke vendosur kufij të qartë për përdorim të ekuilibruar të teknologjisë.

Në Komisionin për Çështje Politike, Stamenkoska Trajkoska kishte fjalimin e saj mbi situatën politike në vendin tonë, së bashku me delegacionet e tjera nga vendet pjesëmarrëse. Iu referua procesit të integrimit evropian si përparësi strategjike kryesore, duke theksuar se është veçanërisht e rëndësishme që procesi i hapjes së kapitujve të negociatave të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe që vendi të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030, jo vetëm nga perspektiva gjeopolitike, por edhe për të parandaluar rritjen e euroskepticizmit tek qytetarët.
Sesioni plenar iu kushtua temës së Frankofonisë si spirancë në botën aktuale të krizave, në të cilën fjalime të rastit kishin kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Jael Bron Pive dhe kryetari i Senatit, Zherar Larshe i Republikës së Francës, kryetari i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Hilarion Etong, dhe sekretari i shtetit kompetent për Frankofoninë, Thani Mohamed Sualihi. Mesazhi i tyre për të pranishmit ishte se në botën e përçarjeve dhe konflikteve, në botën ku multilateralizmi është në krizë, Frankofonia ofron një rrugë dialogu, rregullimi dhe paqeje, ajo është spirancë në stuhi dhe bojë me të cilën shkruhet një e ardhme e përbashkët. Sot, Frankofonia është bashkësi vendesh që ndajnë vlera të përbashkëta, parlamentet e të cilave, përmes prizmit të diplomacisë parlamentare, punojnë së bashku për të avancuar fusha me rëndësi për qytetarët e tyre.
Në debat u përfshi edhe shefja e Delegacionit, Beti Stamenkoska Trajkoska, e cila theksoi përkushtimin e saj personal dhe të Kuvendit për promovimin e gjuhës frënge përmes projekteve, ngjarjeve kulturore dhe mbështetjes për nxënësit dhe mësimdhënësit - me qëllimin e vetëm për ta mbajtur gjuhën frënge gjallë dhe të hapur për botën dhe për të rinjtë.

Në sesionin plenar, nëpërmjet rezolutave, parlamentarët kërkuan zhvillimin e mjeteve shtesë për të parandaluar diskriminimin dhe ndarjen në shkolla, inkorporimin e dispozitave në kushtetutë për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, miratimin e legjislacionit për sanksionimin e dhunës seksuale në konfliktet e armatosura, miratimin e ligjeve për të mbrojtur denoncuesit, integrimin e perspektivës gjinore në proceset buxhetore dhe sigurimin e kornizës juridike për barazi në aspektin e pagave, qasjes në pronë, tregut të punës dhe jetës familjare. Gjithashtu, kërkuan rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e oqeaneve përmes edukimit që në moshë të hershme dhe luftës kundër ndotjes me plastikë, si dhe trajtimin dhe kthimin e të mirave kulturore nga kolonizimi. Deputetët shprehën solidaritet me popullin e Haitit, duke mbështetur forcimin e kapaciteteve të institucioneve me qëllim të rivendosjes së rendit kushtetues, monitorimin e rregullt përmes raportuesit special mbi situatën në Liqenet e Mëdha Afrikane dhe formulimin e rekomandimeve konkrete për paqen dhe stabilitetin në rajon. Lidhur me dezinformatat, u mbështetën iniciativat për bashkëpunim për të luftuar kaosin informativ dhe për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale nga mediat. Në fund, ishte votuar vendimi për të vazhduar me aktivitetet që synojnë marrjen e statusit të vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë në KB.
Asambleja Parlamentare e Frankofonisë (APF), e themeluar në vitin 1967, është organizatë ndërkombëtare që bashkon 95 delegacione nga parlamentet dhe organizatat ndërparlamentare nga pesë kontinente. Qëllimet e APF-së janë të kontribuojë në ndikimin e gjuhës frënge, të promovojë demokracinë, sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut në komunitetin e Frankofonisë, të sigurojë zbatimin nga autoritetet ekzekutive të qëllimeve të përcaktuara në deklaratat dhe rezolutat e samiteve të Frankofonisë, të inkurajojë bashkëpunimin dhe solidaritetin, të rrisë ndërgjegjësimin për rolin ndërkombëtar të parlamentarëve, të kontribuojë në zhvillimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë të kulturave dhe qytetërimeve të popujve që përdorin zakonisht gjuhën frënge, por nuk janë pjesë e kulturës ose qytetërimit francez, dhe të mbështesë mësimin më të gjerë të gjuhës frënge në të gjithë botën. sa/
Foto: Kuvendi