• e hënë, 23 dhjetor 2024

Delegacioni i Kuvendit në Seminarin e 106-të Ros-Rot në Varshavë

Delegacioni i Kuvendit në Seminarin e 106-të Ros-Rot në Varshavë

Shkup, 18 shtator 2024 (MIA) - Në organizim të përbashkët të AP-së së NATO-s dhe Sejmit dhe Senatit të Republikës së Polonisë, më 16 dhe 17 shtator 2024, në Varshavë u mbajt Seminari i 106-të Ros-Rot me temë: "Mbrojtja e fortë dhe rezistenca demokratike: Polonia, përshtatja e NATO-s dhe siguria e ardhshme evropiane”. 

Në këtë ngjarje, ku morën pjesë rreth 200 pjesëmarrës nga parlamentet e vendeve anëtare dhe anëtarët asociativë të NATO-s, vendet partnere, përfaqësuesit e lartë zyrtarë të organizatave ndërkombëtare, sektorit joqeveritar, universiteteve, qeverisë dhe përfaqësuesit e instituteve kërkimore, nga Kuvendi morën pjesë deputetët: Dragan Kovaçki - shef i Delegacionit në AP të NATO-s, Bekim Sali dhe Sllavjanka Petrovska - anëtarë të Delegacionit.

Seminari, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, u hap nga Markos Perestrelo De Vaskonselos, shef i Delegacionit Portugez dhe nënkryetar i AP-së së NATO-s, Joana Kluzik-Rostkovska, shefe e Delegacionit Polak në AP të NATO-s, Simon Holovnia, kryetar i Sejmit, Malgorzata Kidava-Blonska, kryetare e Senatit të Republikës së Polonisë dhe Fabrik Filie, ambasador i Zvicrës në Republikën e Polonisë, Cezari Tomçik, sekretar shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes së Polonisë dhe Jeçek Siviera, shef i Byrosë së Sigurisë Nacionale të Polonisë.  

"Parlamentarët patën mundësi unike për të shkëmbyer mendime dhe për të diskutuar çështje që lidhen me forcimin e Krahut Lindor të NATO-s, mjedisin dhe zhvillimet aktuale në ngjarjet në atë rajon, mbështetjen e Ukrainës dhe ruajtjen e rendit të bazuar në rregulla, zhvillimet aktuale në Bjellorusi, mbrojtjen e shoqërive demokratike nga ndikimet e regjimeve autokratike dhe përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Duke e marrë parasysh situatën aktuale katastrofike dhe viktimat e përmbytjeve në Poloni, të gjithë folësit e shfrytëzuan rastin për të shprehur ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave dhe solidaritetin me popullin polak në trajtimin e këtyre fatkeqësive të motit. Në këtë kontekst, u theksua veçanërisht rëndësia e gatishmërisë civile, ushtarake dhe institucionale e vendeve për t'u përballur dhe për t'iu përgjigjur këtyre sfidave shoqërore", bëhet e ditur në kumtesë.

Gjatë seminarit dyditor u konfirmua mbështetja pa mëdyshje e Ukrainës në luftën kundër agresorit rus deri në fitoren përfundimtare dhe ofrimi i ndihmës sipas nevojave të popullit dhe institucioneve ukrainase, si dhe mbështetja për fitoren e vlerave demokratike dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare. 

Për sa i përket forcimit të Krahut Lindor të NATO-s dhe situatës në Balltik, u përshëndet edhe roli i Finlandës dhe Suedisë pas anëtarësimit të tyre në Aleancë dhe vlera e shtuar në kapacitetet ushtarake.

"Në temën kushtuar ngjarjeve në Bjellorusi foli Svetllana Cikanovskaja, kryetare e Forcave Demokratike të Bjellorusisë, e cila e prezantoi situatën në vend dhe mendimin e qytetarëve për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë. Tema e fundit, e cila diskutoi përballjen dhe veprimin kundër autokracive dhe forcimin e rezistencës demokratike, ngriti një sërë pyetjesh në lidhje me ndryshimet në rritje në botën demokratike, rënien e fjalës së lirë, përhapjen masive të lajmeve të rreme, dezinformatat dhe rregullimin e platformave online për parandalimin e dukurive të tilla. Ekspertët apeluan për formimin sa më të shpejtë të Qendrës Demokratike për Rezistencë brenda NATO-s, si dhe për ndryshimin e Kodeve Etike dhe rregullave për integritetin në parlamentet nacionale, ku do të përfshihen dispozitat për dezinformatat dhe integritetin e fjalës", bëhet e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Kuvendit. fc/

Fotografia: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR