• e hënë, 23 dhjetor 2024

Delegacioni i Kuvendit në mbledhje në selinë e NATO-s në Bruksel

Delegacioni i Kuvendit në mbledhje në selinë e NATO-s në Bruksel

Shkup, 5 nëntor 2024 (MIA) - Në organizim të përbashkët të Asamblesë parlamentare të NATO-s dhe NATO-s sot është mbajtur mbledhja e rregullt për deputetët e sapozgjedhur në selinë e Aleancës në Bruksel.

Në mbledhje morën pjesë deputetët nga nëntë vendet anëtare dhe pesë delegacionet asociative të cilat për herë të parë janë pjesë e organeve të Asamblesë parlamentare duke përfshirë edhe Delegacionin e Kuvendit të përbërë nga: Dragan Kovaçki - shef i Delegacionit në AP të NATO-s, Bekim Sali dhe Sllavjanka Petrovska - anëtarë të Delegacionit.

Siç njoftuan sot nga shërbimi i shtypit parlamentar, ngjarja paraqet mundësi unike për pjesëmarrësit që të informohen për funksionimin dhe bashkëpunimin ndërmjet pjesës parlamentare dhe qeveritare të Aleancës, si dhe për prioritetet aktuale, politikat dhe sfidat e ardhshme përpara Samitit të NATO-s në Hagë vitin e ardhshëm.

"U përshëndet investimi i konsiderueshëm dhe shpërndarja e fondeve në fushën e mbrojtjes nga të gjitha vendet anëtare me potencial për të vazhduar rritjen në vitet në vijim. Në veçanti, u theksua nevoja për komunikim të vazhdueshëm ndërmjet vendeve anëtare, koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta, si dhe rritja e bashkëpunimit me industrinë, si vendimtare për veprim sa më të suksesshëm të tyre", thuhet në kumtesë. 

Të pranishmit ranë dakord që mbrojtja e vlerave universale të vazhdojë pa kushte edhe në të ardhmen.

Në këtë kontekst, u shkëmbyen mendime për situatën në Ukrainë, por edhe për zhvillimet në Lindjen e Afërt, Mesdhe, Ballkanin Perëndimor, Veriun e Afrikës dhe Indo-Paqësorin.

Sa u përket sfidave të ardhshme, thuhet në njoftimin e Kuvendit, vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit të informacioneve dhe përvojave rreth përdorimit dhe investimit në inteligjencën artificiale, kozmosin, forcimin e rezistencës dhe parandalimin e sulmeve hibride dhe kibernetike, keqpërdorimit të dezinformatave dhe manipulimit të informacioneve për qëllime politike dhe të tjera, si dhe për ripërkufizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me vendet e treta. qa/

Foto: Kuvendi i RMV-së


 

QËNDRONI TË LIDHUR