• e hënë, 23 dhjetor 2024

Delegacioni i Kuvendit në mbikëqyrjen e zgjedhjeve parlamentare në Azerbajxhan

Delegacioni i Kuvendit në mbikëqyrjen e zgjedhjeve parlamentare në Azerbajxhan

Shkup, 2 shtator 2024 (MIA) - Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE) i përbërë nga: Monika Zajkova, shefe e Delegacionit, Halil Snopçe dhe Nikolla Micevski, anëtarë të Delegacionit, mori pjesë në Misionin e AP-së së OSBE-së për mbikëqyrjen e zgjedhjeve parlamentare në Azerbajxhan, që u mbajtën më 1 shtator 2024, informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit.   

Misioni i AP-së së OSBE-së, siç thuhet në kumtesë, përbëhet nga parlamentarët e vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, të cilët janë vendosur për t'i mbikëqyrur zgjedhjet parlamentare në kryeqytetin Baku, si dhe në rajonet e tjera të Azerbajxhanit. Mbikëqyrësit e AP-së së OSBE-së bashkëpunuan ngushtë me kolegët e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) për të marrë më shumë informacione mbi zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend. 

Rreth 60 mbikëqyrës afatshkurtër të AP-së së OSBE-së u dërguan në Azerbajxhan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 1 shtator, që është hera e njëmbëdhjetë që Asambleja Parlamentare i mbikëqyr zgjedhjet në vend që nga viti 1995. 

Lider i misionit të mbikëqyrjes afatshkurtër të AP-së së OSBE-së është Majkëll Krid (Irlandë), koordinator special dhe shef i delegacionit irlandez në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, si dhe Lusi Potiçkova (Republika Çeke), kryetare e Komitetit të Përgjithshëm për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare, që ishte shefe e delegacionit të mbikëqyrësve të AP-së së OSBE-së.

Mbikëqyrësit u informuan tërësisht nga përfaqësuesit e administratës zgjedhore, shoqëria civile, kandidatët, përfaqësuesit partiakë dhe ekspertët mbi situatën parazgjedhore përpara se të shkonin në disa rajone të Azerbajxhanit për mbikëqyrje në ditën e zgjedhjeve.

"Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare janë padyshim të rëndësishme, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin e zgjedhjeve të fundit të parakohshme presidenciale të mbajtura vetëm gjashtë muaj më parë, dhe pritjes së ardhshme të Azerbajxhanit të një ngjarjeje të madhe ndërkombëtare të KB-së për ndryshimet klimatike KOP29. Ekipet e mbikëqyrjes do të ofrojnë vlerësim të paanshëm dhe të plotë, me qëllimin e vetëm për të mbështetur respektimin e standardeve dhe vlerave demokratike, si dhe procesin zgjedhor të drejtë dhe transparent për popullin e Azerbajxhanit. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas angazhimeve demokratike të përmbajtura në Dokumentin e Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990. Konstatimet dhe konkluzionet preliminare për zgjedhjet do të paraqiten në konferencë për shtyp në Baku më 2 shtator", thuhte në kumtesë.

Dy ekipet e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i kanë mbikëqyr zgjedhjet në pjesë të ndryshme të kryeqytetit Baku dhe rrethinë, ku kanë vizituar dhjetëra vendvotime dhe kanë parashtruar raporte me shkrim për pikëpamjet e tyre. 

Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika Veriore. Asambleja ofron forum për diplomacinë parlamentare, mbikëqyrjen e zgjedhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së në lidhje me çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor. bsh/

Foto: Kuvend

QËNDRONI TË LIDHUR