• e hënë, 23 dhjetor 2024

Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë e 149-të të Unionit Ndërparlamentar në Gjenevë

Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë e 149-të të Unionit Ndërparlamentar në Gjenevë

Shkup, 13 tetor 2024 (MIA) - Delegacioni i Kuvendit, i udhëhequr nga kryetari Afrim Gashi, do të marrë pjesë në Asamblenë e 149-të të Unionit Ndërparlamentar (IPU), që prej sot deri më 17 tetor do të mbahet në Gjenevë, Konfederata Zvicerane. Në përbërje të delegacionit, siç informojnë nga shërbimi për media i Kuvendit, janë deputetët Dafina Stojanoska, Fatmir Bytyqi, Arbana Pasholli, Halil Snopçe, Boban Karapejovski dhe Borisllav Kërmov, si dhe sekretarja e përgjithshme Marina Dimovska.

Tema kryesore për diskutim në Asamblenë e 149-të të IPU është "Shfrytëzimi i shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve për një të ardhme më të qetë dhe më të qëndrueshme". Komisionet e IPU do të diskutojnë për çështje të shumta nga kompetenca e tyre, ndër të cilat: ndikimi i inteligjencës artificiale ndaj demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, strategjitë parlamentare për zbutjen e ndikimit afatgjatë të konflikteve ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, roli i parlamentarëve në parandalimin e konflikteve në lidhje me resurset natyrore etj.

Në kuadër të Asamblesë së 149-të seanca do të mbajnë "Forumi i grave parlamentare", "Forumi i parlamentarëve të rinj" dhe "Shoqata e sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve".

Unioni Ndërparlamentar është një organizatë botërore e parlamenteve, e cila përfshin 180 parlamente kombëtare dhe 15 asamble parlamentare ndërkombëtare. E themeluar në vitin 1889, IPU është organizata më e vjetër politike shumëpalëshe dhe shoqata më e madhe ndërparlamentare. Unioni punon për të ruajtur paqen dhe për të promovuar ndryshime pozitive demokratike përmes dialogut politik dhe aktiviteteve konkrete. Organizata Botërore e Parlamenteve ka selinë e saj në Gjenevë dhe punon ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera partnere, qëllimet e të cilave ndan. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR