Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës në Pallatin Çiragan, pritet fillimi i negociatave
- Delegacioni ukrainas dhe rus kanë mbërritur në Pallatin Çiragan në Stamboll për raundin e tretë të negociatave, raportoi Ukrinform.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 20:13, 23 korrik, 2025
Stamboll, 23 korrik 2025 (MIA) - Delegacioni ukrainas dhe rus kanë mbërritur në Pallatin Çiragan në Stamboll për raundin e tretë të negociatave, raportoi Ukrinform.
I pari mbërriti delegacioni rus, i ndjekur disa minuta më vonë edhe delegacioni ukrainas.
Në Pallat janë të pranishëm edhe funksionar turq. Për momentin në vijim është takimi përgatitor i delegacionit ukrainas.
Tani për tani nuk dihet se sa do të zgjasin negociatat.
Çështja prioritare në axhendën e delegacionit ukrainas në negociatat me palën ruse në Stamboll do të jetë mundësia e një takimi të ardhshëm midis presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë, Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin, raportoi agjencia.
"Temë kryesore e bisedimeve është një takim i mundshëm i liderëve. Ndërsa për Ukrainën, kjo është çështja më prioritare dhe më e rëndësishme. Sepse është e qartë për ne se në një takim të tillë do të ndërmerren hapa vërtet seriozë drejt paqes", tha një burim për Ukrinform
Ai, jgithashtu, informoi se delegacioni ukrainas në negociatat në Turqi është përqendruar në "tre çështje kryesore" që përfshijnë vazhdimin e shkëmbimit të robërve dhe kthimin e fëmijëve, një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm dhe një takim të udhëheqësve të të dy vendeve.
"Qëndrimi ynë është konstruktiv dhe gjithçka do të varet nëse Rusia ka ndaluar të flasë me gjuhën e ultimatumeve dhe nëse është e gatshme të mbajë një qëndrim konstruktiv dhe nëse është e gatshme për të njëjtat gjëra për të cilat është e gatshme Ukraina", theksoi përfaqësuesi i ekipit negociator ukrainas.
Sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, i cili kryeson delegacionin ukrainas në raundin e tretë të negociatave me Rusinë, paraprakisht në Ankara u takua me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Gjatë takimit, në të cilin mori pjesë edhe shefi i Kabinetit të presidentit ukrainas, Andrij Jermak, u koordinuan qëndrimet përpara negociatave me palën ruse.
Ata diskutuan edhe për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes.
Përfaqësuesit ukrainas. gjithashtu, u takuan g me ministrin turk të Punëve të Jashtme Hakan Fidan dhe këshilltarin e lartë të presidentit të Turqisë, Akif Çagataj Kiliç.
Foto: EPA