• e premte, 05 dhjetor 2025

Delegacion nga MASH-i në takimin e 24-të të Komitetit të përbashkët të Programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore në fushën Studime Universitare (CEEPUS)

Delegacion nga MASH-i në takimin e 24-të të Komitetit të përbashkët të Programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore në fushën Studime Universitare (CEEPUS)

Shkup, 16 maj 2025 (MIA) - Delegacioni i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i kryesuar nga sekretari shtetëror Elena Ivanovska mori pjesë në takimin e 24-të të komitetit të përbashkët të Programit të Shkëmbimit të Evropës Qendrore në fushën e studimeve universitare (CEEPUS), i cili u mbajt në Budapest në organizim të Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit të Hungarisë dhe Zyrës Qendrore CEE-PUS në Vjenë.

MASH informon se në takim u diskutua për efektivitetin dhe perspektivat e deritanishme të programit, mundësitë për zgjerimin e kuotave të lëvizshmërisë së vendeve nënshkruese aktuale, si dhe për zgjerimin e programit me vende të reja pjesëmarrëse.

Ivanovska në fjalën e saj theksoi se ky program për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Maqedoninë, veçanërisht në periudhën aktuale të reformave kur arsimi kombëtar po i përshtatet me shpejtësi trendeve arsimore botërore.

"Numri i institucioneve të arsimit të lartë nga Maqedonia që marrin pjesë aktive në program është vazhdimisht në rritje dhe më vjen mirë që aktualisht jemi koordinatorë të 4 rrjeteve akademike. E mbështesim iniciativën për përfshirjen e vendeve të reja, dhe dua të njoftoj se këtë vit kemi rritur kuotën e mobilitetit dhe kemi ndarë 150 bursa për qëndrime jashtë vendit", theksoi Ivanovska.

Maqedonia, si nënshkruese e marrëveshjes me Shqipërinë, Austrinë, Bullgarinë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Malin e Zi, Poloninë, Moldavinë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Kosovën për të promovuar bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë në kuadër të Programit të Shkëmbimit të Evropës Qendrore për Studime Universitare (CEEPUS III- Central European Exchange Program for University Studies) u mundëson institucioneve të arsimit të lartë për të marrë pjesë si partnerë në gjithsej 127 rrjete nga fusha të ndryshme.

"Në kuadër të këtyre rrjeteve studentët e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë dhe profesorët kanë mundësi të aplikojnë për bursa për qëndrime studimore jashtë vendit, ndërsa konkursi për vitin akademik 2025/2026 është në rrjedhë dhe mund ta shikoni këtu", kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës. ab/

Foto: Ministria e Arsimit dhe Shkencës

QËNDRONI TË LIDHUR