• e premte, 05 dhjetor 2025

Delegacion nga Maqedonia në krye me presidenten Siljanovska-Davkova në Samitin e NATO-s në Hagë

Delegacion nga Maqedonia në krye me presidenten Siljanovska-Davkova në Samitin e NATO-s në Hagë

Hagë, 25 qershor 2025 (MIA) - Në Hagë sot vazhdon Samiti i NATO-s ku merr pjesë edhe delegacioni shtetëror nga Maqedonia me në krye presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Në delegacion janë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski dhe shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral majori Sashko Lafçiski.

Presidentja Siljanovska-Davkova mbrëmë mori pjesë në darkën e organizuar nga Mbreti holandez Uillem-Aleksandar për pjesëmarrësit e Samitit, përfshirë edhe presidentin amerikan Donald Tramp.

Madje është paraparë që presidentja dhe anëtarët e delegacionit nga Maqedonia në margjinat e Samitit të kenë disa takime me përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s.

Në prag të Samitit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, dje tha se fokusi kryesor i takimit do të jetë sigurimi që Aleanca të ketë gjithçka që i nevojitet që të mund të përgjigjet dhe mbrohet ndaj çdo kërcënimi.

Rute theksoi se Samiti po mbahet në një "moment vërtet historik", mes sfidave në rritje të sigurisë, dhe për këtë arsye, ndërsa bota bëhet më e rrezikshme, liderët aleatë do të marrin vendime të guximshme për të forcuar mbrojtjen kolektive, duke e bërë Aleancën më të fortë, më të drejtë dhe më luftarake.

Sipas Rutes, këto angazhime do të përfshijnë një plan të ri investimesh në mbrojtje, me të cilin do të vendoset një synim, ndarjet për nevojat e mbrojtjes të jenë në nivelin prej pesë për qind të PBB-së dhe do të forcohet industria e mbrojtjes në të gjithë Aleancën, gjë që do të sjellë jo vetëm siguri më të madhe, por edhe më shumë vende pune.

"Kërcënimet me të cilat përballemi sot kërkojnë që ne të bëjmë shumë, shumë më tepër për të siguruar që ne mund të përgjigjemi dhe mbrohemi në mënyrë efektive. NATO ka plane të detajuara mbrojtëse. Ne dimë si t'i përballemi me rreziqet që na dalin përpara. Dhe ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Aleatëve, nëse një kundërshtar i mundshëm bën gabimin të sulmojë ndonjë aleat", ka thënë Rute.

Plani, ndër të tjera, parashikon një pesëfishim të aftësive të mbrojtjes ajrore, një rritje të numrit të tankeve dhe automjeteve të blinduara, prodhim më të madh të plumbave dhe municioneve të artilerisë, lëvizshmëri të përmirësuar të forcave në terren dhe forcim të bashkëpunimit me partnerët, kryesisht me Ukrainën, BE-në dhe vendet partnere nga rajoni Indo-paqësor.

Në kuadër të pjesës së punës nga Samiti sot do të zhvillohet takim i Këshillit Veriatlantik në nivel të krerëve të shteteve ose qeverive, të kryesuar nga Rute dhe kryeministri holandez Dik Shouf.

Foto: NATO/EPA

QËNDRONI TË LIDHUR