Delegacion i Kuvendit në Asamblenë e 151-të të Unionit Ndërparlamentar në Gjenevë
- - Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në Asamblenë e 151-të të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet nga 19 deri më 23 tetor në Gjenevë, Konfederata Zvicerane. Delegacioni kryesohet nga deputeti Boban Karapejovski, ndërsa në të janë edhe deputetet Eli Panova dhe Sllavjanka Petrovska, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, e cila po merr pjesë në Takimin e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve.
- Post By Fitore Curri
- 15:26, 21 tetor, 2025
Shkup, 21 tetor 2025 (MIA) - Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në Asamblenë e 151-të të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet nga 19 deri më 23 tetor në Gjenevë, Konfederata Zvicerane. Delegacioni kryesohet nga deputeti Boban Karapejovski, ndërsa në të janë edhe deputetet Eli Panova dhe Sllavjanka Petrovska, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, e cila po merr pjesë në Takimin e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve.
Tema kryesore për diskutim në Asamble është "Respektimi i normave humanitare dhe mbështetja për veprimet humanitare në kohë krize". Deputetët do të diskutojnë gjithashtu mënyrat se si parlamentet mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë gjinore, veprimet për klimën, luftën kundër krimit ndërkufitar dhe migracionit, menaxhimin e inteligjencës artificiale, si dhe mbikëqyrjen parlamentare të shpenzimeve të mbrojtjes. Do të merren në konsideratë edhe iniciativat që lidhen me reformën e Kombeve të Bashkuara, transparencën dhe llogaridhënien në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, etj, njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit.
Kreu i delegacionit, Boban Karapejovski, mori pjesë në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së 151-të të Unionit Ndërparlamentar. Në fjalimin e tij, ai theksoi se vendi ynë, si nënshkrues i Konventave të Gjenevës, mbetet i palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe si kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vazhdimisht pozicionohet në mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura dhe promovimin e normave humanitare. Ai nënvizoi se shteti, në bashkëpunim me UNHCR-në dhe organizatat joqeveritare, po i mbron në mënyrë aktive refugjatët, duke u siguruar atyre punësim dhe arsim. "Ne gjithashtu po punojmë për zgjidhjen e statusit të personave pa shtetësi, duke siguruar aksesin e tyre në të drejtat themelore", shtoi Karapejovski.

Në një kohë të rënies së besimit në institucionet globale, sipas Karapejovskit, parlamentet mund të ndërtojnë ura lidhëse midis kombeve dhe të përforëcojnë zërat e më të prekshëmve.
Asambleja e 151-të e UNP-së pritet të miratojë një dokument përfundimtar mbi temën e debatit të përgjithshëm
Pjesëmarrja e delegacionit parlamentar në këtë Asamble të Unionit Ndërparlamentar është një konfirmim i angazhimit të vazhdueshëm të vendit tonë ndaj parimeve të multilateralizmit, diplomacisë parlamentare dhe mbrojtjes së vlerave humanitare. Njëkohësisht, pjesëmarrja e Sekretares së Përgjithshme, Marina Dimovska, në Mbledhjen e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm mundëson shkëmbimin e përvojave me qëllim promovimin dhe forcimin e efikasitetit institucional të parlamentit.
Unioni Ndërparlamentar është një organizatë botërore e parlamenteve. U themelua në vitin 1889 si organizata e parë politike shumëpalëshe në botë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe dialogut midis kombeve. Sot, organizata ka 182 parlamente kombëtare dhe 15 asamble parlamentare ndërkombëtare si anëtarë. Unioni Ndërparlamentar (UNP) promovon paqen, demokracinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm duke i ndihmuar parlamentet të bëhen më të forta, më përfaqësuese, më inovative dhe të balancuara nga ana gjinore dhe e të rinjve. Asambletë e Unionit Ndërparlamentar (UNP) mbahen dy herë në vit, duke i dhënë kështu një dimension parlamentar qeverisjes globale. fc/
Foto: Kuvendi,